Kosova voton në kohë pandemie/ Mbahen sot zgjedhjet parlamentare, kryetarja e KQZ-së voton e para
Transmetuar më 14-02-2021, 08:24

Kosova zhvillon sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Qytetarët i janë drejtuar që në mëngjes kutive të votimit.

Raportohet se janë ardhur edhe shumë emigrantë një ditë para zgjedhjeve, për të vendosur edhe ata fatet e qeverisjes së vendit.

Edhe qytetarët e Mitrovicës së Jugut i janë nisur drejt kutive të votimit.

Të gjitha qendrat e vendvotimit janë hapur tashmë në këtë komunë.

Në qendrën më të madhe në këtë komunë, gjithçka deri më tani raportohet se po vijon normalisht.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës, duke respektuar masat anti-Covid.

“Unë posa e kreva obligimin tim. Si kryetare mund të konfirmoj se KQZ-ja ka përfunduar të gjitha përgatitjet për këtë ditë.  Sot KQZ-ja do të bëjë monitorimin e mbarëvajtjeve të zgjedhjeve. Ftoj qytetarët të respektojnë të gjitha rregullat e pandemisë dhe ta ushtrojnë të drejtën kushtetuese. I ftoj të gjitha subjektet politike që gjatë ditës të respektojnë të gjitha rregullat e KQZ-së”, tha Daka.