Dënohet me 6 muaj burg ish-deputetja e Kuvendit
Transmetuar më 29-03-2021, 14:50

Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi 6 muaj burgim me kusht dhe 400 euro gjobë për ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina.

Ajo ka pranuar akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe atë të sulmit ndaj zyrtarëve gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të 11 gushtit 2016, Shqipe Pantina akuzohet se më 27 shkurt 2016, rreth orës 16:30, në sallën e punimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë të paautorizuar ka poseduar një bombol gazi lotsjellës, të cilën ka tentuar ta ndezë në ulësen ku ishte e ulur afër grupit të vet parlamentar dhe e njëjta i është konfiskuar nga ana e policisë.

Ish-deputetja e LVV akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërsa, akuza e dytë ka të bëjë me sulmin e saj ndaj personave zyrtarë, më konkretisht policeve Valdete Gubetini dhe Fikrije Rashica, të cilat ishin në kryerjen e detyrave zyrtare. Të dëmtuarit ishin duke u përpjekur që të pandehurës t’ia marrin bombolën e gazit lotsjellës nga dora, por polices Valdete Gubetini i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore.