Macron uron Albin Kurtin për fitoren, e fton në Paris: Shpresoj që të vazhdoni dialogun me Serbinë
Transmetuar më 01-04-2021, 13:27

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe formimin e Qeverisë së re.

Në urim, Macron ka përmendur dialogun Kosovë-Serbi.

Kreu i shtetit francez ka vlerësuar progresin e bërë gjatë kohëve të fundit.

Macron shpreson që edhe Kurti të vazhdojë me dialogun në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës sikurse të Serbisë.

Macron në letrën e urimit ka ftuar në Paris Albin Kurtin për të biseduar për temat e ndryshme.

“Ju dërgoj përshëndetjet e mia të sinqerta për formimin Qeverisë suaj dhe urimin tim për suksese të plotë në kryerjen e detyrave tuaja si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Duke votuar për listën që ju udhëhoqët gjatë zgjedhjeve të 14 shkurtit, shumica e votuesve që morën pjesë në votime shprehën dëshirën e tyre për ndryshim”.

“Unë e di që ju synonit të realizonin zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Këtu sigurisht që duhet shtuar lufta kundër pandemisë, e cila është një përparësi e menjëhershme, në kohën kur Kosova po preket rëndë dhe kur Bashkimi Evropian po mobilizohet për të ndihmuar vendet e rajonit për të përballur krizën shëndetësore dhe pasojat e saj. Unë dëshiroj t’iu siguroj për mbështetjen e Francës për të gjitha këto prioritete, për të mirën e kosovarëve dhe për afrimin e vendit tuaj me Evropën. Kjo është një sfidë madhore, me të cilën do të duhet të përballeni”.

“Në vitet e fundit është bërë përparim i rëndësishëm në dialogun që autoritetet kosovare kanë zhvilluar me Beogradin, nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shpresoj që ju të vazhdoni këtë dialog në mënyrë që të arrini një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës sikurse të Serbisë. Të jeni të sigurt se do të keni mbështetjen time të plotë unë do të isha i lumtur t’iu mirëprisja në Paris së shpejti për diskutuar rreth këtyre temave”, thuhet në letrën e Macron dërguar Kurtit.

/a.m/NOA.al