Transmetuar më 09-04-2021, 20:53

DMX, një reper i njohur amerikan ka vdekur në moshën 50-vjeçare.

Lajmin e trishtë e bëri publik familja e tij përmes një deklarate.

I njohur me emrin artistik, DMX, ai ishte po aq i njohur për telashet sa edhe muzika e tij.

“Jemi shumë të pikëlluar të njoftojmë sot se i dashuri ynë, DMX, emri i lindjes Earl Simmons, vdiq në moshën 50-vjeçare në Spitalin White Plains ku ndodhej prej disa ditësh me familjen e tij në krah”, thuhet në deklaratën e familjes.

Artisti ishte shtruar në spital që nga java e kaluar më 2 prill, kur pësoi një sulm në zemër në shtëpinë e tij në New York, sipas avokatit të tij të vjetër, Murray Richman.

“Earl ishte një luftëtar që luftoi deri në fund”, – tha familja, duke shtuar se muzika e tij “frymëzoi adhurues të panumërt në të gjithë botën dhe trashëgimia e tij ikonike do të jetojë përgjithmonë”.

DMX njihej si një nga yjet më të mëdhenj të repit në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000.

Ai gjithashtu luftoi me varësinë nga droga dhe problemet ligjore, madje ishte arrestuar disa herë nga policia. /a.m/ NOA.al