Transmetuar më 24-04-2021, 09:56

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, feston sot ditëlindjen e 53-të. Ky për përvjetor Thaçin e gjen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë ku ndodhet nga nëntori i vitit të kaluar. Aktakuza ndaj tij është ngritur në po këtë datë, para një viti.

I vetmi mik që do të këtë mundësi ta urojë për këtë ditë të veçantë nga afër, do të jetë ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, i cili po mbahet bashkë me të në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Thaçi po mbahet në paraburgim që nga 5 nëntori i vitit të kaluar. Në po këtë ditë, ai dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës dhe u transferua për në Hagë. Përveç Thaçit, aktakuzë është ngritur edhe ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999. /K.B/NOA.al