Transmetuar më 26-04-2021, 13:40

30 përqind numërim…

Do të duhej të ishte sipas historisë zgjedhore, një votë refuzuese ndaj partisë në pushtet, korrupsionit, arrogancës dhe lodhjes a fytyrave të konsumuara.

Vota shqiptare po tregon që refuzuan opozitën, mbështetësit e tyre të çdo lloji dhe se fillimisht kërkojnë ndryshimin e saj, përpara se t’u japin besimin për ndryshimin e madh në vend.

Me pak fjalë, nëse sjellim një thënie të vjetër nga zgjedhjet amerikane: Edi Rama fitoi se përballë kishte Lul Bashën, do kishte humbur sikur të ishte i vetëm në zgjedhje.

A mund ta gjykojmë fituesin?! Nëse ky trend vazhdon dhe përfundon kështu, cili përveç kundërshtarëve patologjikë në studio televizive do ta bënte?!

Nuk mundet të blihen kaq vota. Nuk mundet të manipulohen kaq njerëz. Nuk mund të tremben kaq shumë votues.

Të vetmen shkelje që mund ta nxjerrim në pah, edhe ajo ligjore madje, ishte ndalimi i votuesve nga Greqia me formën e karantinimit për shkak të Kovidit, që besoj nuk do ta vinin fare në dyshim mandatin e Vangjel Tavos në Gjirokastër, që gjithsesi uroj ta fitojë.

Lulzim Basha, duhet të marrë gjithë përgjegjësitë, si politikan dhe si burrë shteti. Nuk duhet të bëhet litari i dytë rreth qafës së PD-së.

Besoj, duhet të sillet si politikan, minimumi në lartësinë e Tom Doshit, lëvizja me dorëheqje e të cilit ishte,me një huazim shahu: shah-sheh-torre- mat.

Partia Demokratike duhet menjëherë të mendojë për reformimin, apo dhe riformimin, duke çliruar qafën, madje dhe këmbët nga litari-Berisha.

Agron Shehaj, më duket një emër mjaft intrigues. Nuk e njoh pothuajse fare, por është i vetmi që ka bërë gjeste politike dhe mediatike me të cilat njerëzit krijuan empati.

Kjo është në dorën e demokratëve. Gjithsesi rrezikojnë shumë, nëse do vazhdojnë me të vjetrën. Zgjedhjet e tjera janë vetëm dy vjet më pas.

* Pikëpamjet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht vijën editoriale të noa.al