Transmetuar më 10-05-2021, 16:30

A është krejt i sinqertë Edi Rama në shtrirjen e vazhdueshme të dorës drejt Lulzim Bashës? Ai thotë po. Luli nuk e beson. Historia me dorështrirjen e bashkëpunimit të Ramës thotë “kujdes”. Ndoshta e shtrojmë pyetjen gabim. Për çfarë i duhet Basha? Ka egzekutivin. Ka legjislativin. Nuk e provon dot kush, por aksiomatikisht si dorëzanës të reformës, “i takon” edhe drejtësia.

Përse vallë e do edhe opozitën? Apo më saktë Partinë Demokratike, meqë LSI nuk do ta marrë as në konsideratë. Punët, investimet, projektet, rilindjen urbane, rilindjen shqiptare, i formëson e i ngjyros vetë. Për çfarë dreqin i duhet pra Lul Basha? Apo mos vallë është duke luajtur diabolikisht, si një luan i madh që i ra në thonj një gazelë e pa rritur mirë, që jo me vrap nuk ikën dot, po s’qëndron dot as në këmbë.

Sepse gjithë kjo “dashuri” që shpreh ai për Bashën, përkthehet në papërmbajtje të Berishës dhe në mllef të elektoratit blu, me vota të qarta, mijëra e qindra mijëra kundër Ramës. Mos vallë Rama këtë po bën? Nxitjen në maksimum të paranojakëzimit të Berishës, duke stimuluar një betejë të padukshme në trekëndëshin Meta-Berisha-Basha, shumë më të ashpër se sa ajo kundër tij, me pyetjen fikse “kush po shet kë”?

Këmbëngulja e vazhdueshme për “shpëtimin” e Lulit, do ngrinte dyshime të thella për këdo, jo më për Berishën dhe Metën, që duket se janë “armiqtë” e vërtetë. Pra do ngrinte dyshime për një marrëveshje, mbi marrëveshjen që di plotësisht Berisha dhe asaj pjese që di Meta. 17 Maji i 2017, vazhdon të jetë misteri i madh. Dijeni të plotë për çfarë është biseduar në ato orë mendoj se ka Rama dhe Basha afërmendsh, por edhe Berisha. Ndoshta, dhe vetëm ndoshta ai si duket ka qenë dakort, jo vetëm të luftohej kundër LSI, por edhe pushteti të mos synohej si i takon një opozite të vërtetë.

Dalim tek pyetja që na dedukton ky arsyetim: Çfarë vallë i qenka premtuar Berishës? Por në fund të fundit Basha dhe Rama kanë rënë dakort ta mbrojnë, apo ta shkatërrojnë? Në gjithë këtë dyshim të madh, mbushur me pikëpyetje dhe dyshime më të vogla, shoqëruar nga të panjohura të thella që nga fushata e 2005, prej ndryshimit të Kushtetutës 2008, marrëveshjes së 1 Prillit të 2013 dhe 17 Majit të 2017, një gjë duket krejt e qartë: Edi Rama ka luajtur i vetëm dhe vetëm për vete e i ka luajtur gjithë të tjerët si gurë shahu të sakrifikueshëm, në kohën e duhur.

Njëjtë e shoh edhe Lulin sot. Vetëm se atë po e sakrifikon duke i shprehur dashuri. Me Berishën dhe Metën ka qenë e pamundur dashuria, sepse ata në kohë të ndryshme kanë qenë si Rama sot, lojtarë të fortë shahu politik. Ishin kohë kur Rama vetë ishte i sakrifikueshëm.

Në epilog, brenda pak javësh do zbulojmë atë që s’e mësuam dot prej 2004: A është Luli një naiv që edhe pse iu dhanë grada pa kursim nuk u ngrit dot në rolin e një oficeri, apo u shndërrua në sytë tanë në mjeshtrin e kamuflimit politik duke ia hedhur njëherësh dy prej elefantëve politikë shqiptarë? Unë personalisht do vija bast për vrasjen me dashuri të Lulit nga Rama. Sepse më duket që vizionin e “Shqipërisë së re”, Rama nuk do ta ndajë me askënd, aq më pak me Lulin. Thjesht, me ftesën e tij, me dashurinë pa kushtëzim, hedh gaca zjarri në një tokë që po digjet.

* Qëndrimet e autorit janë personale