Transmetuar më 20-05-2021, 10:27

Policia e Kosovës tha se ngjarja ndodhi më 19 maj dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerje të veprës penale “dhunim” të një vajze në moshë të mitur, në qytetin e Mitrovicës.

Sipas një komunikate të Policisë, rasti i dhunimit është denoncuar më 18 maj.

Me vendim të prokurorit viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim mjekësor.

Më 19 maj, dhjetëra përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar siguri më të madhe për vajzat në shkolla.

Protestuesit kanë kërkuar futjen e lëndës së Edukatës seksuale në planprogramin arsimor, ambiente të sigurta për nxënësit, si dhe angazhimin e punëtorëve socialë dhe të psikologëve në shkolla.

Javën e kaluar, mediat lokale në Kosovë kanë shpërndarë një video ku pretendohet për ngacmim seksual të një të miture në oborrin e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë.

Drejtoria e kësaj shkolle për rastin në fjalë tha se ka ndërmarrë të gjitha masat si brenda edhe jashtë shkollës, duke njoftuar prindërit e të dy palëve, autoritetet përkatëse, si dhe të gjithë personat që kanë mundur të preken në mënyrë indirekte nga rasti.

Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijë (KOMF), i ka bërë thirrje Qendrës për Punë Sociale që të ofrojë shërbime për mbrojtjen dhe rehabilitimin për fëmijën e abuzuar si dhe të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë.

/a.m/NOA.al