Qeveria e Albin Kurtit tërhiqet nga reciprociteti me Serbinë, e anulon pak orë më pas
Transmetuar më 25-05-2021, 20:59

Kosova tërhiqet nga reciprociteti me Serbinë dhe pak orë më vonë tërhiqet edhe nga kjo tërheqje!

Lëvizja Vetëndosje, kishte njoftuar sot se nuk e sheh si zgjidhje reciprocitetin me Serbinë.

Ishte Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila në një konferencë sot gjatë ditës tha se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Por disa orë më vonë Hajdari tha se kjo deklaratë e saj është keqinterpretuar.  “Deklarata ime në konferencën e sotme rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit është keqinterpretuar. Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Më tej Hajdari thotë se i reciprociteti është parim i shëndoshë i raporteve normale në mes të shteteve.

"Ne nuk e kemi reciprocitetin si armë hakmarrjeje, por si parim që del nga koncepti i barazisë. Do ta vendosim reciprocitetin, jo për të ngritur barriera, por për t’i hequr ato. Dhe për t’i mbrojtur qytetarët nga shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave", u justifikuar ministrja e Kurtit.

I gjithë aktiviteti politik i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i Albin Kurtit, që është sërish kryeministër i Kosovës, që nga themelimi e deri më sot, ka qenë i bazuar në nevojën për masa reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.