Transmetuar më 02-06-2021, 23:25

Një nuse në Indi humbi jetën gjatë ceremonisë së martesës dhe burri i saj në pritje, mori për grua motrën e saj të vogël.

Ajo çka të trondit, është se trupi i gruas së quajtur Surabhi ishte vendosur në dhomën ngjitur teksa martesa vijonte, në krahinën e Uttar Pradesh.

Pasi gruaja pësoi një arrest kardiak dhe mbeti pa ndjenja pranë dhëndrit Manjesh Kumar, një tjetër marrëveshje u arrit mes familjeve pasi ata kishin ndërruar kurorat tradicionale të lidhjes.

Xhaxhai i Surabhi, Ajab Singh tha për agjencinë vendase se martesa e çiftit të ri ishte ‘një vendim i vështirë’ për t’u marrë nga familja.

“Njëra vajzë qëndronte e vdekur në një dhomë teksa në tjetrën kryej martesa e vajzës tjetër. Nuk kishim provuar kurrë emocione kaq të përziera. Dhimbja për vdekjen e saj dhe gëzimi i martesës së të motrës, ende nuk është kuptuar prej nesh”, tha ai.