Transmetuar më 05-06-2021, 19:11

Ashtu siç ndodhi vitin e kaluar, edhe këtë radhë qeveria ka vendosur të shkatërrojë ndërtime të palegalizuara në zonat bregdetare, duke kërkuar që vetë bizneset t’i prishin dhe më tej të sistemojnë hapësirat që do të lirohen.

Ky lajmërim që bëri Rama pak ditë më parë, vjen ndërsa Shqipëria e drobitur nga një pandemi shkatërruese, tenton të rimarrë veten me të vetmin biznes më fitimprurës në vend, turizmin.

Megjithatë, qeveria e kryeministrit Rama ashtu siç bëri parvjet në qershor dhe vjet në gusht, edhe tani po vepron pikërisht në periudhën e vetme turistike, verën.

Nga njëra anë, qeveria është në të drejtën e vet për të ndërmarrë hapa ligjorë dhe ekzekutues, kur ndërtimet janë pa leje.

Nga ana tjetër, është shumë e qartë se pjesa më e madhe e ndërtimeve janë pa leje dhe prishja e tyre çdo herë që kap pasur fushata shkatërrimi, ka qenë selektive.

Për më tepër, pjesa më e madhe e ndërtimeve turistike të legalizuara apo të ligjshme, kanë zaptuar kaq shumë hapësira përreth të ligjshme, sa zor se mund të ndash ku nis ligjshmëria dhe ku mbaron ajo.

Në ndërkohë, një problem i mprehtë lind për qytetarët. Ata që kanë biznese turistike, kanë krijuar pritshmëri se do ta hanë dhe këtë sezon turistik, meqë hyri qershori. Por mesa duket nuk do të ndodhë.

Lind pyetja, përse tani? Përse qeveria bën fushatë shkatërrimi pikërisht në sezon? Përse autoritetet nuk e bënë këtë fushatë shumë kohë më parë, fjala vjen në dimër dhe jo tani kur plot biznese kanë marrë rezervime, kanë punësuar njerëz dhe presin të ushqehen deri në shtator.

Vallë a nuk do të ishte më e udhës që të tilla fushata të mos bëhen brenda sezonit, por që më herët. Në këtë mënyrë për të gjitha palët do të ishte më e ndershme, më e pranueshme. /noa.al