Transmetuar më 06-06-2021, 08:37

Tridhjetë vjet pasi në aerodromin e Gjirokastrës u ul për herë të fundit një avion, këto ditë fluturimet janë rikthyer duke sjellë në jug të vendit, vizitorë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Bashkia në Gjirokastër bëri të ditur se pas tre dekadash është bërë pjesërisht funksional Aerodromi i Gjirokastrës dhe aplikuesit e parë janë katër aeroplanë sportivë nga Maqedonia e Veriut dhe dy të tjerë nga Kosova.

Këto avionë të vegjël, në bashkëpunim me mjetet fluturuese të Shoqatës së Aeronautikës Shqiptare dhanë spektakël mbi qiellin e kaltër.

Kryeministri Edi Rama e cilëson çeljen e këtij aerodromi si një hapësirë më shumë për turizmin e zonës.

Rijetëzimi i këtij aerodromi është bërë me synim kthimin e kësaj piste një destinacion të sporteve të ajrit në funksion të turizmit dhe motos së re të Gjirokastrës "365 ditë turizëm".

Aerodromi ka një jetëgjatësi gati 90 vjeçare, që në fillim të viteve ’30. Megjithatë ai kurrë nuk shërbeu për fluturime civile. Avioni i fundit që është ulur në këtë pistë, ishte më 26 shkurt 1991 kur Ramiz Alia vizitonte për herë të fundit Gjirokastrën.