Transmetuar më 07-06-2021, 07:23

Katër persona kanë vdekur dhe një i pestë është plagosur të dielën në një aksident trafiku në rrugën Ferizaj-Shtime.

Policia e Kosovës, duke folur për ngjarjen e ndodhur në orën 15:37 në fshatin Koshare të Ferizajt, tha se në të u përfshinë dy automjete.

Megjithatë të katër personat që humbën jetën ishin në njërën makinë.

Mjeku kujdestar në QKMF-në e Ferizajt, Bajram Ajeti ka dhënë shpjegime për aksidentin e rëndë ku kanë humbur jetën katër personat.

“Rreth orës 15:30 kemi marrë informatën se ka ndodhur një aksident i rëndë. Me të arritur në vendngjarje kemi parë që janë aksidentuar dy vetura.

Në veturën e tipit Golf 2 kanë qenë pesë persona dhe në veturën tjetër të tipit Audi kanë qenë 2 persona.

Në vendin e ngjarjes kemi marrë një person me lëndime të rënda dhe kemi konstatuar vdekjen e katër personave tjerë.

Që të gjithë kanë qenë në veturën e tipit Golf 2. Personat në tipin Audi kanë marrë lëndime pak më të lehta dhe iu është dhënë ndihma në QKMF-në e Ferizajt e më pas janë liruar në shtëpi”, tha Ajeti.

Ndër katër personat e familjes Ramadani që kanë humbur jetën kanë qenë një 40 vjeçar, një fëmijë rreth moshës 12 vjeçare, dhe dy gra, përkatësisht 30 dhe 60 vjeçe. Personi i pestë është transportuar gjallë në QKUK. Ai ka qenë rreth 20 vjeçar dhe ka pasur fraktura të shumta”, deklaroi ndër të tjera mjeku Ajeti.

Një person është ndaluar sot për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Kryetari i komunës Shtime, Naim Ismajli, njoftoi se e hëna e sotme do të jetë ditë zie pas aksidentit tragjik, ku humbën jetën 4 anëtarë të familjes Ramadani nga Shtimja.

Për sot pezullohen të gjitha angazhimet institucionale dhe të gjithë flamujt që janë të vendosur në institucionet komunale, do të ulen në gjysmështizë.