Transmetuar më 09-06-2021, 22:20

Çështja e kriptovalutave solli debat në A2 Business mbrëmjen e së mërkurës mes ish-ministrit të Financave, Arben Malaj, dhe ekspertit të kësaj fushe në Kosovë, Besart Hajrizi.

Pak njerëz e dinë se një Bitcoin konvertohet me plot 3,655,102.50 lekë ose 29.750 euro.

Eksperti u shpreh se nëse do të kishin investuar para 10 vitesh në Bitcoin, atëherë fitimi sot do të ishte shumë herë më i madh se çdo investim tjetër në kompanitë e mëdha aktualisht në treg. Por, Malaj reagoi duke e quajtur këtë si argumentin më spekulativ të bërë nga ata që promovojnë Bitcoin.

“Të gjitha kompanitë e mëdha janë në bursë dhe kanë transparencën maksimale të mbikëqyrjes. Unë kam përgjegjësinë publike kur dal këtu. Janë vrarë 3 mijë veta, humbën 6 mijë veta shtëpitë, u shkatërrua ekonomia dhe financat publike, pikërisht nga këto lloj investimesh që bazohen në pritshmëri”, u shpreh Malaj, i cili e mbështeti idenë e tij edhe te deklarata e një dite më parë të ish-presidentit Trump, i cili i quajti kriptovalutat mashtrim.