Bosnja nuk e njeh si shtet, megjithatë Kosova i dorëzon vrasësin e kërkuar
Transmetuar më 10-06-2021, 12:54

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës Albulena Haxhiu, ka njoftuar se të enjten është ekstraduar nga Kosova në Bosnje-Hercegovinë, një person i dyshuar për kryerjen e një vrasjeje të rëndë, që ka ndodhur fundvitin e shkuar në Sarajevë.

“Personi ishte arratisur nga Bosnje dhe Hercegovina për në Kosovë, ndërsa ishte arrestuar këtu falë bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Bosnje dhe Hercegovinës”, ka thënë Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

"Ky rast përbën një sukses të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, pavarësisht rrethanave politike.

Gjithashtu, ky rast është tregues se nëpërmjet mekanizmave të fuqizuar të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale, individët e grupet kriminale nuk mund ta shohin Kosovën si vend për arratisje për t’i ikur drejtësisë, e as si vend për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal", – tha ministrja.

Identiteti i të dyshuarit nuk është bërë i ditur.

Bosnje-Hercegovina nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Ky vend e ka njohur pasaportën e Republikës së Kosovës si dokument të vlefshëm, por qytetarëve të Kosovës u duhet një vizë për të hyrë në këtë vend.

Edhe Kosova ka vendosur masa reciprociteti mbi regjimin e vizave me Bosnje -Hercegovinën.

Foto arkiv