Albin Kurti: Kosova nuk mund të angazhohet në iniciativa që janë përshtatur t’ia mohojnë shtetësinë
Transmetuar më 11-06-2021, 03:31

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, tha të enjten se refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës është pengesë e vazhdueshme ndaj bashkëpunimit rajonal.

"Qasja aktuale ndaj bashkëpunimit rajonal ndikohet negativisht nga mosmarrëveshjet politike që kanë penguar bashkëpunimin dhe kanë ngritur dyshimet dhe pasiguritë në lidhje me të ardhmen", – tha z.Kurti.

“Refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës është pengesë e vazhdueshme ndaj bashkëpunimit rajonal. Kosova nuk mund të angazhohet në iniciativa që janë të përshtatura për ta mohuar statusin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur; ne do të angazhohemi vetëm si të barabartë”, shtoi ai.

Sipas kryeministrit të Kosovës, për t’i zgjidhur këto probleme, së pari “duhet të pranohet hapur burimi i tyre”.

Kurti ka folur edhe rreth procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE). Ai theksoi se edhe pse është zgjeruar në masë të madhe, BE-ja sot nuk është Evropë.

“Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia mbeten jashtë BE-së. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në Evropë, por BE-ja akoma nuk është Evropë”, shtoi ai.

Samiti që bëri bashkë në takim liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerin Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi, kishte në fokus zbatimin e planit ekonomik dhe të investimeve të paraqitur për rajonin nga Komisioni Evropian si edhe rrugën përpara për në samitin e Procesit të Berlinit me udhëheqësit e rajonit.