Transmetuar më 12-06-2021, 21:40

Kjo është një ditëlindje e bukur. Ҫdo ditëlindje është  një ditë e bukur në kalendarin e vitit, por kjo e sotmja ka jo vetëm veçantinë e përvjetorit të 30-të, por edhe shijen e veçantë të fitores së sapoarritur të zgjedhjeve të treta radhazi për hërë të parë në historinë e zgjedhjeve pluraliste shqiptare.

Faleminderit edhe një herë të gjithë atyre që punuan fort për të këtë arritje dhe shkruan një faqe kaq të veçantë në historinë e familjes sonë të madhe politike.

Faleminderit njëkohësisht edhe të gjithë atyre që në këto 30 vite i dhanë frymë, energji, besim Partisë Socialiste.

Faleminderit atyre që i dhanë kësaj partie emrin, misionin, vlerat e tiparet themelore të një fuqie të madhe të ndryshimit dhe e nxorrën Partinë Socialiste në rrugën e përpjetë të transformimit historik të Shqipërisë këtu e 30 vjet më parë. Patjetër, faleminderit liderit të parë të saj, babait tim politik që në fillim e desha, pastaj e vrava dhe më pas e rigjeta të rilindur në resektin dhe vëmendjen e ndërsjellë ndaj njëri-tjterit.

Faleminderit atyre që në emër të Partisë Socialiste i shërbyen vendit gjatë këtyre 30 viteve, Kuvendit të Shqipërisë, në qeveritë shqiptare, në institucionet qendrore e vendore të vendit tonë. Por mbi të gjitha e mbi të gjitha faleminderit gjyshërve dhe gjysheve, burrave e grave, vajzave e djemve anë e mbanë Shqipërisë, të cilët gjatë këtyre tre dekadave e shkruan emrin e tyre në anëtarësinë e kësaj familjeje dhe kontribuan vullnetarisht përgjatë kësaj rruge 30 vjeçare shpresash, mundimesh, sfidash, betejash, sfidash të mëdha e arritjesh domethënëse ku kemi fituar, kemi humbur, jemi ngjitur duke u rrëzuar, jemi ringritur dhe kemi vazhduar të ringjitemi sëbashku.

U prehshin në paqe të gjithë ata që mes tyre nuk jetojnë më nga socialisti, socialistja në këndin më të largët të Shqipërisë e deri te Bashkimi, shoku ynë i paharrueshëm, i cili do të vijojë të jetë me në jo veç në kujtimet tona, por edhe përmes Megit, vajzës së tij të menccur e shembullore. Faleminderit Megi dhe për fjalët e tua. Unë e besoj që nga atje lart, Bashkimi po na ndjek i buzëqeshur dhe është më shumë se asnjëherë krenar për ty.

Faleminderit dhe mirënjohje më të madhe të gjithë atyre që në këto tre dekada i kanë dhënë Partisë Socialiste 5 milionë e 194 mijë e 622 vota në 9 palë zgjedhje kombëtare, duke na bërë partinë më të votuar në historinë e shqiptarëve dhe duke na dhënë privilegjin e jashtëzakonshëm të drejtimit vendit në dy periudha posaçërisht sfiduese të këtyre tre dekadave. Menjëherë pas rrënimit katastrofik të vitit ’97-të dhe të vitit 2013, kur llogaritë e shtetit dhe imazhi i Shqipërisë ishin për faqe të zezë.

Faleminderit juve dhe gjithë socialistëve dhe socialisteve që prej vitit 2005 më kanë dhënë privilegjin e jashtëzakonshëm të udhëheqjes së kësaj force të madhe politik të shqiptarëve, të cilën së bashku e kemi rritur vijimësisht në çdo stacion zgjedhor prej vitit 2009 e mbi të gjitha e kemi ngritur sot në nivelin e misionit historik të Shqipërisë së vitit 2030.

Ndjesë kujtdo që ma ka dhënë këtë besim të madh dhe që në këtë ngjitje të vazhdueshme me kthesa, ndalesa e peripeci nga më të ndryshmet është ndier i mbetur pas, i mënjanuar, i lënduar. Mirënjohje secilit apo secilës që pavarësisht se mund të mos jetë ndier mirë në një moment apo në tjetër, për një arsye apo një tjetër, nuk është larguar, as tërhequr, por ka vazhduar të më besojë, të më mbështesë, të kontribuojë në betejat e Partisë Socialiste për fitore të saj, të cilat kam bërë gjithnjë çmos që t’i kthejë bashkë me ju të gjithë në arritje për Shqipërinë.

S’kam bërë dot asnjëherë sa kam dashur, por asnjëherë s’jam kursyer për të bërë gjithçka kam mundur dhe çdo ditë që kalon me këtë privilegj të madh për mua ndihem më mirënjohës përpara kësaj familjeje, më i motivuar për sfidat tona për Shqipërinë, më i përulur përpara popullit të Shqipërisë.

Kam mbledhur këtu me vështirësi dhe emocion fjalët që gjithësesi janë krejt të pamjaftueshme të një falenderimi të fundit në këtë ditëlindje të veçantë të Partisë Socialiste, për shokun tim të vjetër të armëve, i cili në këto vite më është bërë sipas rastit dhe nevojës mësues, vëlla, mik, pjestar i familjes sime të vogël në gëzime dhe hidhërime dhe në të gijthë vitet e kësaj rruge të përbashkët ka qenë për ditë e përditë një hije e kujdesshme në krahun tim, Gramoz Ruçin.

Nuk dua t’ua fsheh se kur në fundin e atyre takimeve të panumërta kokë më kokë, tërë këto vite, ku thuhen gjithnjë për herë të parë ato që kthehen në zanafilla të vendimmarrje tona, po vdesin aty ku thuhen, Gramozi më tregoi vendimin e tij për t’u tërhequr nga legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë, nga politika aktive pas plot 30 vjet shërbim në Partisë Socialiste, pata ndjesinë e këputjes së krahëve. Duke e njohur besoj shumë mirë e kuptova në çast se ishte vendim i marrë pa asnjë mundësi rishikimi dhe qysh nga ai çast, akoma sot nuk e gjej dot si dhe qysh do të mbushet boshllëku largimit të tij.

Në çdo rast kur lufta politike është bërë kuadrat shahu, pa këshillimin me Gramozin do t’i kishim  humbur, me siguri për fajin tim, disa prej ndeshjeve më të bukura që kemi bërë në planin strategjik. Por unë se kam dhe aq merakun në këtë drejtim, sepse e di që ai do të mbetet deri në ditën time të fundit në këtë detyrë, këshilltari im më i besuar për strategjitë brenda këtij kuadrati. Merakun e kam te boshllëku i madh i një eksperience të pashoqe këtu mes nesh, që ai lë pas 30 vjetësh në udhëheqjen e partisë. Askush nuk është i pazëvendësueshëm, e di. Por po ashtu di që dhe që jo gjithëkush është lehtësisht i zëvendësueshëm. Gramozi hynë te një lloji shumë i rrallë protagonistësh në jetën e një organizate apo një vendi, të cilët zëvendësohen me shumë vështirësi dhe gjithësesi duan një kohë të konsiderueshme që të zëvendësohen kur kjo ndodh sepse nuk ndodh gjithmonë.

Kjo do të jetë një sfidë më vetë për mua dhe për ne, por nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet ta pranojmë me respekt vendimin e tij dhe të mësojmë të gjithë prej këtij vendimi.

Të hysh në politikën aktive e të ngjitesh lart është një sfidë më vete, por të dish të dalësh nga politika aktive dhe të zbreshën në kohën e duhur prej lartësisë ku je ngjitur është një art më vete. Dhëntë Zoti ta kem dhe unë dhuntinë e këtij arti!

I dashur Gramoz, janë shumë vitet e punës që kemi ndarë mes nesh. Kjo e jona nuk është punë, në fakt është shumë më tepër se punë. Por qysh nga dita e zgjedhjes sime në krye të kësaj familje të madhe bëhen plot 16 vjet që nuk ka patur një moment të vështirë apo një vendim të rëndësishëm që se kam pleqëruar me ty, përpara sesa me këdo tjetër. Të jam mirënjohës jo vetëm pse më ke mbështetur pa kursim në çdo hap, për çdo vendim, kurdo dhe kudo ku kam hasur vështirësi, por mbi të gjitha të jam mirënjohës për çdo gabim që nuk më ke lënë të bëj dhe për çdo hov të parakohshëm që ma ke ndalur apo ma ke moderuar.

Jo duke mos më lënë të nxitohem gabimisht, por edhe duke më ndihuar në ushtrimin tejet të vështirë për mua deri para disa vitesh të kalitjes së durimit. Nëse sot, durimi është kthyer nga dobësi në forcë brenda meje, kjo është në një pjesë jo të vogël merita jote, pa marrë këtu natyrisht asnjë meritë të pamohueshme të shoqes tënde dhe gruas sime, Lindës.

Sinqerisht faleminderit miku im!

Dua të them dy fjalë për ata që nuk e njohin apo e njohin përciptas, së largu, jashtë kësaj familje, Gramozin dhe e  dinë tamam siç nuk është në fakt, enverist i heshtur, xhaketë e vjetër, konservator i mbyllur, personazh me një biçak labërie në mëngë, që na imponohet me vetullat e ngrysura dhe me sekretet e ca dosjeve misterioze, i cili rri aty në majë të parlamentit si sfinks, pa gjuhë të huaja, pa Facebook, pa Instagram, pa internet fare madje dhe me të cilin më mirë të mos ngatërrohesh se të gjen belaja.

Askush dhe në këtë rast tek aksush fus edhe shumë mes nesh, se ka ditur dhe jo më t’ia qajë ndonjëherë hallin që e ka gjetur të shkretin Gramoz, vetëm imagjinojeni, dy herë nga 15 vjet rresht me dy kryetarë njëri më allasoj se tjetri, njëri më antiparti se tjetri, njëri më kokë më vete se tjetri. Po mirë dy kryetarët, po askush nuk e ka parë se çfarë ka hequr Gramozi i shkretë për të vënë në vijë 30 vjet me radhë organizata, fushata, kongrese, KPD-ra, asamblera, kryesira, grupe e plot kështu gjërash që kësaj familjeje politike ku halli hallit dhe mendja mendjes nuk i ngjan, sa herë që loja politike nis e nxehet dhe shpërthen liria e dhënies së mendjeve kafene më kafene, korridor më korridor, mbledhje më mbledhje e deri para disa vitesh, pasyrë mediatike e në pasqyrë mediatike ku liria e mendimit ndryshe dukej si telenovela “100 Vitrinat”.

Shumë janë ata që kujtojnë se këtë familje e kanë mbajtur bashkë për beteja Nano apo Rama ndërkohë që në atë celularin pa ËhatsApp të Gramozit ka më shumë numra anëtarësh partie seç ka pasur ndonjëherë emra të gjallësh në regjistrin dixhital të partisë që mban Taulanti.

Sikur Fatos Nano të mos kishte Gramozin që mbante rreshtat dhe sikur të mos ishte Gramozi që më mbante mua, Partia Socialiste do ishte lëshuar me kohë e me vakt si shallvaret e mia, apo do ishte sot si unë por kur nu ke kisha bërë stazhin e partisë nën mbikëqyrjen e shokut Gramoz e jo mandat të dytë jo e jo, por as i pari nuk do kishte ardhur.

Tre fjalët kyçe të Gramozit unë i kam të shkruara, mos kujtoni se i përsëris ngaqë i tha ai për suksesin, janë Frymë, Organizim, Lidership dhe ato u bënë, falë përsëritjes së vazhdueshme, fiksimi im, e kështu arrita që ta kaloja stazhin e Gramozit me aq sukses sa të përdor natyrshëm edhe fjalën “shoku”, kur Gramozi e kishte zëvëndësuar me kohë me fjalën “zoti”. Dhe ja kështu u përmbys bota dhe kur unë  e thoja “siç e nënvizoi fjalën shoku Gramoz” merrte fjalën Gramozi dhe thoshte “siç e tha pak më parë zoti kryetar”.

Gramozi nuk ka qenë vetëm ai që fuste makinerinë në punë pas kushtrimeve zgjedhore apo fjalimeve programore të dy kryetarëve, të cilëve për të folur, sja ka kaluar dot kush akoma, por ishte ai që të dyve ne, Fatosit më parë dhe mua më pas, na ka dhënë sigurinë dhe mbështetjen  për t’i hapur me fjalimet tona. shtigjet e reformave qeverisëse, politike, organizative të kësaj partive pa ardhur tek dera jonë stuhia e kundërshtive që përplaseshin tek dera e shokut Gramoz e davariteshin aty, duke na dhënë ne mundësinë që të vazhdonin përpara të udhëhiqnin pa pasur kokën mbrapa se kush po vjen. Dhe ju e dini që në Partinë Socialiste ka gjithmonë nga ata që po vijnë.

Sikur të ishin të gjithë konservatorët si Gramozi, mendësia e të shkuarës e them me bindje, mund të bëj një libër për këtë, do kishte vdekur me kohë në rrugën e partive politike shqiptare. Dhe në mexhelisin e debatit politik shqiptar dhe konfliktet ekstreme politike do kishin mbetur në të shkuarën që para shumë e shumë kohësh. Si pak kush apo mbase si askush tjetër në fakt që kam njohur në këtë parti, Gramozi ka qenë gjithnjë dy hapa mbrapa ku vjen rasti për të marrë prej kësaj familjeje. Në atë kohën e vjetër kur Gramozi ishte fare i ri, sot do thuhej “I pari në sakrifica, i fundit në pretendime”,  ndërsa në këtë kohën e re ku Gramozi është në buzë të 70-ve do thuhej “O sa mirë do ishte sikur shembulli  i tij të ishte rregulli, jo përjashtimi që përforcon rregullin në këtë familje”, por nejse, ky është muhabet i gjatë.

Në emër të gjithë kësaj familjeje të madhe, të falenderoj nga thellësia e zemrës i dashur Gramoz, shumë i respektuari shoku Gramoz dhe fort i nderuar zoti Gramoz  për atë që je për të gjithë socialistët dhe për të gjithë ne këtu tash 30 vjet dhe sot kur ke vendosur më në fund të nisësh tia lash borxhet e rënda familjes tënde të vogël, në emër të gjithë Partisë Socialiste unë të uroj labçe

Të na rrosh sa malet shoku Gramoz!

Ndokujt kjo “e maleve” i duket demode apo tronditet se i kujtohen kohë të vështira, ne si kongres na vjen keq, por nuk e ndihmojmë dot të mos mërzitet.

Të dashur delegatë të kongresit,

sot në këtë datë të shënuar të Partisë Socialiste, jemi mbledhur për dy sebepe në një ditë, për ditëlindjen që pamë dhe që dëgjuam, i thamë ato pak gjëra që na lejoi koha, ndëri të  Shqipërisë. Këtu, pas meje do flasin disa prej anëtarëve dhe anëtareve të qeverisë aktuale që do prekin përmbledhtazi një sërë pjesësh të programit tonë të ri qeverisës, i cili pastaj do detajohet imtësisht deri në shtator si një plan pune i kalendarizuar i qeverisë së re.

Unë nuk do cek këtu specifika të programit të ri qeverisës por do prek disa çështje madhore të mandatit të tretë, të cilat nga goja ime do i dëgjoni shumë shpesh në vijim dhe që lidhet me qasjen tonë politike qeverisëse dhe kombëtare.

Fitorja e mandatit të tretë në raport me rivalët tanë është një fitore që tanimë i përket historisë së Partisë Socialiste dhe historisë së zgjedhjeve politike në Shqipëri ndërsa ne sot dhe në vijim na përket vetëm detyrimi i jashtëzakonshëm ndaj vendit, ndaj njerëzve të zakonshëm, ndaj fëmijëve të këtij vendi që ushtrimin e mandatit të tretë të sigurojmë një kapërcim historik.

Si e tillë, kjo fitore historike ka sjellë për ne një përgjegjësi historike, realizimin e një volumi të atillë vendimesh, reformash dhe punësh konkrete që Shqipëria e kësaj dekade që sapo kemi hyrë të ngjitet deri në fund të kësaj dekade në majën ku meritojnë shqiptarët, një vend me standartet e një shteti anëtar të Bashkimit Europian, një vend ku liria dhe drejtësia ta rrezatojë përkatësinë tonë europiane me realitetin e përditshëm të marrëdhënieve të institucioneve me qytetarin dhe të qytetarit me shtetin, një vend kampion në këtë rajon të Europës, në inovacion, energji, turizëm, bujqësi dhe shërbime publike, një vend me dinjitet të lartë kombëtar dhe ndërkobëtar ku Shqipëria është gjithmonë dhe padiskutim e para, por kur marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë janë padiskutim të forta dhe të dobishme reciprokisht.

Kjo është Shqipëria 2030 dhe ky është misioni ynë, i cili nuk nis me mandatin e tretë, por në mandatin e tretë do e çojmë përpara me një vetëdije krejt të re, duke filluar nga komunikimi publik, marrëdhëniet me rivalët politikë, por duke mos e harruar për asnjë çast marrëdhënien me publikun, në punën e përditshme të shumicës qeverisëse.

Dua që mandati i tretë të shënojë një hapje të re ndaj njerëzve të këtij vendi, t’i përfshijë ata në vendimmarrjet tona më të rëndësishme, përmes një institucioni të ri kombëtar, këshillit kombëtar.

* Fjala e mbajtur në Kongresin e PS