Transmetuar më 14-06-2021, 09:45

Organizata kryesore e biznesit në Shqipëri, Konfindustria, kërkoi sot shtyrjen në kohë dhe rishikim të plotë të procesit të fiskalizimit të parashikuar në vitin 2021.

Grupimi i biznesit paralajmëron se në rast të kundërt rrezikojmë qartësisht të kemi një proces të radhës të dështuar dhe korruptiv fiskalizimi, me përfitues vetëm një grup biznesesh zbatues të licencuar nga ekzekutivi dhe palë humbëse, sipërmarrjen dhe ekonominë kombëtare.

Kërkesa është e mbështetur në shqetësimet e sipërmarrjes, historikun e dështimeve të përsëritura të luftës kundër informalitetit dhe paqartësitë e dukshme të zbatimit të fiskalizimit.

Shqipëria si asnjë vend tjetër në rajon dhe BE ka eksperimentuar shumë herë në një kohë të shkurtër ndryshimet ligjore të sistemeve të fiskut.

Informaliteti i lartë i pandryshuar i ekonomisë dhe shkalla më e ulët në rajon e mbledhjes së të ardhurave buxhetore, janë tregues të qartë, se reformat e deritashme kanë qenë të pasuksesshme.

Për të shmangur dështimin e rradhës kërkohet shtyrja në kohë e zbatimit, qartësimi i plotë problematikave dhe vetë arsyetimi i qartë i nevojës së kryerjes së fiskalizimit 2021.

Qeveria nuk ka paraqitur publikisht pritshmëritë në shifra financiare të përfitimeve të biznesit dhe ekonomisë në tërësi, – afatet dhe shkallën në përqindje të PPB të uljes së informalitetit, – rritjen e parashikuar në vite të të ardhurave buxhetore si dhe – vlerën e kostove të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për sipërmarrjen dhe ekonominë kombëtare, në mënyrë që të përligjet nevoja e kryerjes së fiskalizimit 2021.

Në çdo rast,  zbatimi i proceseve strategjike fiskale të ngjashme në vendet e zhvilluara të BE kërkojnë shumë më tepër kohë.

Konfindustria vlerëson, se procesi i fiskalizimit të përshpejtuar brenda vitit 2021, rrezikon të ketë vetëm kosto shtesë, sidomos kategorinë e biznesit të ashtuquajtur të vogël, pa prodhuar asnjë përfitim të prekshëm për ekonominë dhe sipërmarrjet në tërësi.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm, pohon se shqetësuese janë edhe paqartësitë ligjore nga vetë agjencitë shtetërore përgjegjëse në rastet e trajtimit të pasojave teknike të fiskalizimit. "Paqartësitë ligjore të zbatimit rrezikojnë të shndërrohen në gjoba të paarsyeshme për bizneset dhe burim korrupsioni", pohon ai. /klea/noa.al