Memorandumi Shqipëri-SHBA mbi Sigurinë 4G dhe 5G, ONE është kompania e parë në rajon pjesë e nismës së SHBA
Transmetuar më 14-06-2021, 14:25

Memorandumi Shqipëri-SHBA mbi Sigurinë 4G dhe 5G, pasi ONE u bë e para në rajon që zgjodhi rrjetin e pastër dhe të sigurt nga Ericson

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken dhe Kryeministri shqiptar Edi Rama u takuan këto ditë në Bruksel, për të nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi midis Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë mbi Sigurinë 4G dhe 5G.

Memorandumi u firmos pasi më herët, ONE Telecommunications u bë kompania e parë nga Shqipëria dhe rajoni që iu bashkua dhe u angazhua në iniciativën e rrjeteve të pastra. Si pjesë e kësaj iniciative, ONE Telecommunications angazhohet të mos përdorë pajisje transmetuese, kontrolli, kompjuterike apo ruajtjeje nga kompani të pasigurta teknologjikisht.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken e cilësoi këtë marrëveshje si "një shembull mjaft të fortë për të tjerët sot, për nevojën për t’u siguruar kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë që kemi ne sot dhe të punojmë me shitës të besuar".

Ndërsa Kryeministri Edi Rama tha se kjo nismë nga Shqipëria është ndërmarrë që prej disa vitesh edhe "duke i kërkuar edhe të tjerëve, vendeve në rajon që të bëhen pjesë e që të gjithë sëbashku të bëjmë përpjekje për një korridor të sigurtë komunikimi e për ta vënë këtë korridor komunikimi të shërbimeve shumë kritike në duart e qytetarëve të Shqipërisë, institucioneve shqiptare, forcave të sigurisë e të mos lejojmë që të komprometohet nga aktorë të tretë që nganjëherë janë aktorë dashakeqë".

Rama, ashtu si Blinken, shprehu shpresën se nisma që po zbatohet në Shqipëri, të mund t’i bindë edhe të tjerët në rajon për tu bërë pjesë e kësaj nisme.

Shtetet e Bashkuara e vendosën Shqipërinë në hartën e vendeve me rrjet të besuar në sajë të One Telecommunications, cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si “Kompani e Pastër” në kuadër të nismës “Rrjeti i Pastër”, duke i dhënë gjithashtu Shqipërisë statusin e vendit të parë në rajon që i bashkohet kesaj nisme.

ONE është kompania e parë në vend dhe rajon, dhe ndër të parat kompani të telekomunikacionit në Europë, e cila cilësohet si një “Kompani e Pastër Telekomunikacioni” përkrah kompanive të tjera si Orange në Francë, Telefonica Spanjë dhe Gjermani, O2 në Britaninë e Bashkuar, Tele2 në Estoni e disa të tjera.

Nisma “Rrjet i Pastër” është një përpjekje gjithpërfshirëse për të vendosur standarte të pranuara ndërkombëtarisht për një internet të sigurt global dhe mbrojtjen e transmetimit të thirrjeve dhe të dhënave përmes rrjeteve të komunikimit.

ONE po kryen një investim prej 92 milionë eurosh në pajisjet dhe programet e saj të telekomunikacionit, duke i zëvendësuar të gjitha pajisjet e saj të rrjetit me teknologjinë më të re nga kompania e njohur Ericsson. Në këtë mënyrë, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të përfitojnë nga një prej rrjeteve më moderne të telekomunikacionit të ndërtuar sipas standarteve ndërkombëtare të sigurisë.

Elvin Guri, aksioner i ONE, ka pohuar se “siguria është një zgjedhje dhe angazhim i padiskutueshëm për ne që, si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria duhet të ketë mundësinë që të ofrojë rrjetin më të sigurt të mundshëm për qeverinë, ushtrinë, policinë si edhe për misionet diplomatike të shteteve partnere".

Guri ka shpjeguar se kanë bërë një investim të tillë që ONE ta ofrojë këtë siguri për vendin. "Jemi të vendosur që ta mbështesim Shqipërinë për të qenë një partner i besuar për Shtetet e Bashkuara, në pararojë për komunikimin e sigurtë në të gjithë rajonin”, – është shprehur ai.

Më herët, Nënsekretari i Shtetit të SHBA për Energjinë, Rritjen Ekonomike dhe Mjedisin, Keith Krach shprehu mirënjohjen në emër të Presidentit amerikan që Shqipëria i është bashkuar listës së vendeve me rrjet të pastër 5G. Z. Krach falenderoi gjithashtu operatorin e vetëm shqiptar që i është bashkuar kësaj inisiative, ONE Telecommunications, duke cituar drejtorin e saj ekzekutiv, Emil Georgakiev: “One Telecommunications vazhdon të tregojë angazhim për të ruajtur standartet më të larta të sigurisë për klientët tanë dhe partnerët tanë duke përdorur vetëm mjete të besuara”. /noa.al