Transmetuar më 15-06-2021, 14:06

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 17 tetorin 2021 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat (bashkitë) e vendit.

Siç njofton Zyra e Presidentit, Osmani e ka marrë këtë vendim pas përfundimit të konsultimit me subjektet politike më 2 qershor 2021 dhe në mbështetje të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.

Me të njëjtin vendim, presidentja Osmani ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë u mbajtën më 22 tetor të vitit 2017 me 44.1 për qind të pjesëmarrjes në votime.