Transmetuar më 18-06-2021, 11:27

Qeveria greke në vendimin më të fundit ka shtyrë deri më 21 qershor vendimin nëse do të rihapen kufijtë me Shqipërinë. Këtë komunikim e kishte bërë ambasada greke në Tiranë, por tani që 21 qershori po afron, çfarë do të ndodhë me kufijtë?

Gjasat që më 21 qershor të rihapen kufijtë janë praktikisht të ulëta, tha në një përgjigje për lexuesit e noa.al, një zyrtar i ambasadës greke në Shqipëri.

Ai u shpreh se "Bashkimi Evropian bëri një rekomandim duke u sugjeruar vendeve anëtare që të heqin kufizimet me Shqipërinë duke nisur nga data 1 korrik 2021. Së pari nuk ka një vendim, por një rekomandim. Së dyti, data 1 korrik është ende larg", tha zyrtari diplomatik.

Megjithatë ai u shpreh optimist se shumë shpejt kufijtë do të rihapen. "Qeveria greke do të diskutojë këto ditë mbi rekomandimin e BE dhe mbi dinamikën e zhvillimeve që ndjek me kujdes dhe pritet që të vendoset për rihapje të kufijve duke filluar nga 1 korriku dhe për një periudhë të paktën të sezonit veror".

Rihapja e kufijve nuk do të thotë se do të hyjnë e dalin lirisht shqiptarët siç kanë bërë në vitet 2010-2020. Rekomandimi i BE që në media u trumbetua si vendim, qartëson se rihapja e kufijve mund të vlejë vetëm për të vaksinuar plotësisht dhe 14 ditë pas dozës së dytë. Nuk dihet nëse Greqia do të pranojë dhe të vaksinuarit me kinezen CoronaVac dhe rusen Sputnik V. /noa.al

Lexoni dhe: BE hoqi kufizimet për Shqipërinë, ambasada italiane përgjigjet për NOA: Mbyllja e kufijve mbetet në fuqi

Lexoni dhe: Gjermania heq kufizimet për një pjesë të qytetarëve shqiptarë, kushtet nuk kanë të sosur