Transmetuar më 24-06-2021, 15:47

Qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë më sigurimin kufitar kur të udhëtojnë në Malin e Zi. Drejtori i Byrosë së Sigurimeve, Sami Mazreku në një intervistë për Ekonomia Online bëri me dije se marrëveshja për heqjen e 15 eurove si policë sigurimi do të nënshkruhet më 25 qershor në orën 14.00.

“Përpara është diskutuar shumë dhe është diçka që nuk ka ndodhur, në muajin e tretë të mandatit si drejtor kemi arritur t’i finalizojmë të gjitha komentet dhe më datën 25 qershor në orën 14.00 nënshkruhet kjo marrëveshje dhe kjo do të hyjë në fund nga data 1 korrik, mirëpo aspekti teknik na ka vonuar pak.

Qytetarët e Kosovës që shkojnë në Mal të Zi nuk kanë nevojë të paguajnë sigurimin kufitar” tha ai.

Më herët, Qeveria e Kosovës njoftoi se ka vendosur të mbulojë policën e sigurimit për dy kategori, për vetura dhe motoçikleta. Nuk mbulohen mjetet transportuese, nuk mbulohen kamionët, por vetëm automjetet dhe motoçikletat. Kjo marrëveshje do të fillojë më 1 korrik dhe do të përfundojë me 31 tetor. Ne do të japim policën ku do të shkruajë se kjo policë do të subvencionohet nga Qeveria e Kosovës. Ne e lëshojmë një faturë në emër të shtetit, ndërkohë që vlera e të gjitha subvencionimeve mund të arrijë deri në 6 milionë euro”, tha Mazreku në lidhje me vendimin e djeshëm të qeverisë Kurti.

Mazreku u shpreh se ky është një vendim që i paraprin marrëveshjes. “Është një vendim që i paraprin një marrëveshjeje, e cila do të nënshkruhet nesër me ministrin e Financave, Bankës Qendrore, neve si Byro dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për byronë është njëjtë, vetëm se është një proces më ndryshe. Nuk e shohim problem” tha ai.