Transmetuar më 25-06-2021, 22:58

Nga Lutfi Dervishi

Cila është koha që fiton nga Tirana në Durrës nëse nuk e nget makinën me 90 km/orë, por me 150 km/orë? Jo më shumë se 10 minuta.

Në kërkim të kësaj kohe që nuk i duhet kërkujt me përjashtim të dreqit, rrezikon jetën tënde dhe të tjerëve.

Sa herë ju ka ndodhur që duke ecur me 90km/orë në këtë segment ndjeni nga pas drita që lëshohen si rrufe nga gangot që nxitojnë sepse 1 apo 2 km më tej duhet të dalin nga rruga dhe të pijnë një kafe?!

Ka policia ndonjë listë të këtyre gangove?

Kur ndodhin ngjarjet e rënda si aksidenti sotëm, kujtohemi se ka diçka të madhe që nuk shkon.

Lista e fajtorëve nuk është e shkurtër; fajësohet adoleshenti, prindi, polici, kurset e shoferëve, gjendja e rrugës, sinjalistika, alkooli, hashashi,…

Harrojmë shpesh të pyesim: çfarë ka ndodhur me rastet e drejtuesve të mjetit që kanë bërë aksident me shpejtësi mbi 150 km/orë?

Ku janë ata sot?

Pyetja është retorike – ata sërish janë në timon!

Ndaj të mbledhim forcat dhe të bëhemi gati për vajtimin e radhës!