Transmetuar më 30-06-2021, 20:16

Një tunel që ka nisur 14 vjet më parë më 2007 kur qeveriste Sali Berisha dhe ende nuk ka mbaruar, është kaq i rëndësishëm për mbarë vendin dhe turizmin sepse sipas qeverisë, arrin të shkurtojë me plot tre orë rrugën nga Tirana në Sarandë.

Është fjala për tunelin që po ndërtohet nga Gjoka në rrugën që të çon në Delvinë dhe sot, Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook foto nga punimet për ndërtimin e tij.

Tuneli i Skërficës, po realizohet përgjatë rrugës Kardhiq-Delvinë. Rama pohon se përfundimi i këtij tuneli do të shkurtojë me 3 orë rrugën nga Tirana për në Sarandë.

“Me një gjatësi 1,3 km, i shoqëruar edhe me tunelin e emergjencës me gjatësi 670 m, duke përmbushur të gjitha kushtet e sigurisë, në këtë vepër puna po ecën me ritme të shpejta dhe realizimi fizik ka arritur në 50%.

Përfundimi i kësaj vepre infrastrukturore shkurton me 3 orë rrugën nga Tirana në Sarandë”, tha sot z.Rama për rrugën që duhet të kishte përfunduar këtë verë, por që ende nuk dihet se kur do të mbarojë.

Por çfarë thonë banorët e zonës? Vërtet shkurtohet rruga me 3 orë?

Sikurse citon noa.al, rruga nga Tirana deri në urën e Kardhiqit është të paktën 3 orë deri 3 orë e 15 minuta. Më tej nevojiten edhe 45 km deri në Sarandë ose afro 40 minuta. Për ata që kanë udhëtuar deri në Sarandë, e kanë të qartë se udhëtimi shkon rreth 4 orë.

Në këto kushte lind pyetja: Si do të shkurtohet me 3 orë rruga në Sarandë dhe praktikisht të bëhet për vetëm një orë?

Investimi 100 milionë euro që po bëhet, sipas banorëve, e shkurton rrugën me 15 km. Tentohet të shmanget Qafa e Muzinës sipas tyre, por kurrsesi 3 orë më pak rrugë.

Ja çfarë thotë një banor: "Ata që nuk e kuptojnë, nuk kanë për ta kuptuar kurrë: Janë shpenzuar 100 milionë euro dhe shkurtohet rruga vetëm 15 km, kur duhet të hapej një tunel Dhuvjan-Delvinë, me një kosto sa gjysma e atij që po bëhet. Kështu,  Gjirokastra, Libohova, Dropulli, Kakavija vinin në Sarande për 30 km rrugë dhe nuk do kalonin nga Muzina që u duket gogol".