Transmetuar më 01-07-2021, 12:02

Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Tiranë.

Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin shqiptar ambasadori Reeker u takua ndër të tjera me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ai pati dhe një drekë pune me ministren e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka dhe ministrat e Mbrojtjes dhe Drejtësisë.

Por duket se Reeker ka takuar edhe trashëgimtarin e fronit mbretëror Princ Leka në rezidencën e familjes mbretërore lajmin e ka bërë të ditur vetë trashëgimtari i fronit.

Në postimin e tij princ Leka shkruan se: Ditën e djeshme patëm kënaqesinë të prisnin në rezidencën e Familjes Mbretërore ndihmës sekretarin e shtetit në detyrë për çështjet europiane dhe euroaziatike, Ambasadorin Z. Philip T. Reeker, sëbashku me Ambasadoren e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Znj.Yuri Kim.

Të vetmin lider që ka lënë pa takuar, presidenin Meta dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhin.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane i tha Zërit të Amerikës se “për arsye të ndërtimit të agjendës, këtë herë nuk ishte i mundur një takim me presidentin Meta”.

Kreu i Shtetit shqiptar, veçanërisht muajt e fundit ka qenë në një kurs përplasjeje me ambasadoren amerikane Yuri Kim, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj vendimit të Departamentit amerikan ndaj zotit Berisha duke e cilësuar atë një “fletërrufe” apo “një akt të shëmtuar, të poshtër e të pabesë që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”.