Transmetuar më 01-07-2021, 17:52

Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker vizitoi te merkuren Tiranën me nje axhende te kufizuar takimesh.

Gjatë qëndrimit të tij Shqiperi, zoti Reeker u takua me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ai pati dhe një drekë pune me ministren e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka dhe ministrat e Mbrojtjes dhe Drejtësisë.

Asnjë nga selite qeveritare dhe partiake shqiptare nuk lëshoi ndonjë deklaratë për takimet.

Megjithatë disa të dhëna i publikoi Ambasada e SHBA në Tiranë. Ajo tha sr Reeker “përgjatë gjithë takimeve të tij, nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”.

Më herët përmes një deklarate zyrtare Departamenti i Shtetit njoftoi se ka vendosur ndalimin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara, për korrupsion madhor, ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij. Pikërisht ketij vendimi duket se i referohej ambasada kur citonte deklaratat e zotit Riker jo vetem në takimin e Ramen, por edhe në atë me Bashën në selinë e PD.

Ajo që ra në sy gjatë vizitës së zotit Reeker, ishte dhe mungesa e një takimi me presidentin Ilir Meta. Në situatën e krijuar, pas konflikteve para dhe pas zgjedhore, u duk e pritshme që mos kishte një takim me Metën.

Ambasada Amerikane u tregua e përmbajtur kur tha se këtë herë nuk ishte i mundur një takim me presidentin Meta. Por ajo pranoi se axhenda ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që Meta të mos ishte i përfshirë në takimet e Reeker: "Për arsye të ndërtimit të agjendës, këtë herë nuk ishte i mundur një takim me presidentin Meta”, deklaroi ambasada.

Nga ana e tij, Presidenti Meta e komentoi ne mbremje permes zedhenesit te tij, Tedi Blushi mungesën e takimit me zotin Riker me faktin se atij nuk i ishte propozuar ne axhende asnjë kërkesë për takim.

Presidenti Meta, veçanërisht muajt e fundit ka patur përplasje të forta me ambasadoren amerikane Yuri Kim, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj vendimit të Departamentit amerikan ndaj zotit Berisha duke e cilësuar atë një “fletërrufe” apo “një akt të shëmtuar, e të pabesë te ndikuar nga lobingjet antishqiptare”.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit “përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke nënvizuar se si përparimi në këto çështje do të nxisë demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin në Shqipëri dhe do të vijojë rrugën e Shqipërisë drejt pranimit në Bashkimin Europian”.

Për të dëshmuar mbështetjen ndaj Reformës në Drejtësi, ai bisedoi dhe me një grup magjistratësh që kanë kaluar procesin e vettingut. Ambasada Amerikane zgjodhi per te komentuar kete takim Zerin e Amerikes, ku nje zedhenes i saj tha se “Ndihmës Sekretari i Shtetit Reeker dhe ambasadorja Kim u takuan me gjyqtarë dhe prokurorë që shënojnë një epokë të re të Drejtësisë shqiptare. Këta magjistratë u zgjodhën sepse përfaqësojnë ata që kanë përmbushur nivelin e integritetit dhe profesionalizimit qoftë duke plotësuar kërkesat e reja rigoroze për t’u bërë shërbëtorë të drejtësisë shqiptare, ose duke kaluar procesin e vështrë por të nevojshëm të vettingut”.

Zëdhënësi tha më tej se “profesionistë të besuar, si këto gra dhe burra, po krijojnë një sistem drejtësie të pavarur, por llogaridhënës, dhe po punojnë në mënyrë të palodhur për t’i dhënë drejtësi të ndershme dhe të paanshme popullit shqiptar”.