Transmetuar më 08-07-2021, 11:43

Kryeministri Edi Rama la sot 100 ditë kohë për krerët e policisë, për të gjetur e hetuar policët që shkelin ligjin.

“Keni 100 ditë kohë për të rivënë rregull, që qytetarët të marrin frymë të lehtësuar. Duhet të jepen shembuj se nuk ka pandëshkueshmëri në policinë e shtetit. Ata që shkelin ligjin duhet të shkojnë para drejtësisë”, u shpreh Rama në takimin me drejtuesit e rendit në vend, të enjten.

Ai theksoi se policia e Shtetit nuk e njeh ligjin dhe ndaj brenda 100 ditëve “ligjin duhet ta njohë çdo polic në vend”.

“Unë dua t’iu them se keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë, vetëm 100 ditë! Që qytetarët të marrin frymë shumë të plotësuar, duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me një të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, që dini t’i bëni mirë, se ndaj jeni zgjedhur, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre.

Sistemi i kamerave që do të monitorojë çdo cep të territorit do të nisë të vihet në zbatim. Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes me shefat e Komisariateve. Rama deklaroi se ky sistem do të nisë fillimisht të aplikohet monitorimi në rrugët kryesore dhe më pas të shtrihet në të gjithë vendit që policia të ketë 24 orë sy në çdo cep.

Ai u shpreh se në dispozicion të policisë do të vendosen edhe dronët superinteligjentë që do të japin informacion në kohë reale për çdo rrënjë kanabis, ndërtim pa leje, lëvizjesh mjetesh apo forcash kriminale, tokë bujqësore, lumë, pyll e kështu me radhë. Një ultimatum Rama e pati për drejtuesit duke theksuar se kanë vetëm 100 ditë kohë dhe asnjë ditë më shumë, për të çuar para drejtësisë “skifterët dhe çakenjtë që qytetarët të marrin frymë lirshëm”.

“Ne jemi duke punuar që më në fund të realizojmë monitorimin me kamera të rrugëve kryesore dhe pastaj të shtrihemi në të gjithë territorin për t’i dhënë mundësi policisë të kenë në sy mbi territor 24 orë. Po ashtu shtrirjen e sistemi të kamerave të trupit, po ashtu edhe pajisjen apo vënien në dispozicion të dronëve superinteligjentë për monitorim nën stop të territorit që të japë informacion në kohë reale për çdo rrënjë kanabis, ndërtim pa leje, lëvizjesh mjetesh apo forcash kriminale, tokë bujqësore, lumë, pyll e kështu me radhë.

Edhe këtë ne duhet ta bëjmë. Prioriteti i fundit është vënia në përdorim me një standard tjetër me një teknologji më të avancuar dhe një protokoll më rigoroz i komisariatit digjital.Tani kemi mundësi ta çojmë në një nivel tjetër. Që qytetarët çdo komisariat ta ketë në xhep. Ai do jetë syri juaj dhe partneri juaj. Këtu do përmend një element që është shumë shqetësues. Denoncimet për dhunë në familje. Është shqetësuese që policia e shtetit ka ndjeshmëri të ulët ndaj këtij fenomeni duke shpërfillur britmat e grave dhe vajzave që dhunohen. Shpërfillen totalisht vuajtjet dhe dhimbjet e patregueshme të atyre që mund të ishin gratë dhe motrat e secilit prej jush dhe nesh. Duhet ndërtuar një rrjetë me personat përgjegjës, dhe jo një çështje mes çështjeve të tjera.

Çdo komisariat do ketë personat përgjegjës për dhunën në familje dhe çdo thirrje të trajtohet, dhe pastaj ato përfundojnë në tehun e sëpatës. Nuk mund të ketë. E mbyll aty ku e nisa për të thënë që pritshmëria është e lartë dhe ky fakt është shumë motivues, frymëzues dhe domethënës. Aty ku është pritshmëria e lartë domethënë që ka besim që gjërat mund të bëhen. Sot pritshmëria është shumë e lartë nga unë, nga shumica e dalë nga zgjedhjet, nga të gjithë strukturat. Kësaj pritshmërie duhet t’i qëndrojmë përballë. 100 ditë kohë për ta rivënë trupën në angazhim total nga i pari te i fundit. Asnjë ditë më shumë që qytetarët të marrin frymë më të lehtësuar. Të gjithë duhet të shkojnë para drejtësisë. 100 ditë”, tha Rama.