Transmetuar më 09-07-2021, 19:46

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar sot se duke nisur nga java e ardhshme, qytetarët do të mund të zgjedhin vetë llojin e vaksinës kundër koronavirusit.

Aktualisht në Kosovë ka vaksina të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka ftuar të enjten qytetarët që të vaksinohen kundër koronvirusit, pasi sipas tij, ekspertët vlerësojnë se në vjeshtë pritet të ketë valë të re të pandemisë COVID-19

“Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar. Është e vetmja mënyrë dhe me siguri se edhe nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, e që sipas ekspertëve është pothuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin ekonomik, social, ruajmë mirëqenien tonë”, ka thënë Vitia.

Vitia ka folur edhe për hezitimin e qytetarëve që të marrin vaksinën AstraZeneca, por ka theksuar se vaksinat që përdorë Kosova janë të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA).

Ai ka thënë se ky hezitim po vjen pasi individë të papërgjegjshëm me ose pa vetëdije po shkaktojnë dëme në shëndetin publik.

“Një numër qytetarësh kanë hezituar të marrin dozën e parë AstraZeneca dhe natyrisht nuk kanë pasur asnjë arsye. Këtu kanë kontribuuar disa individë të papërgjegjshëm të cilët me ose pa dashje po i shkaktojnë dëme procesit të vaksinimit”, ka thënë ministri Vitia.

Më 3 korrik, Kosova ka pranuar mbi 182 mijë vaksina AstraZeneca, donacion nga Norvegjia.

Vitia ka thënë se 12 mijë dozave të këtij donacioni u skadon afati më 31 korrik, ndërsa pjesës tjetër në fund të gushtit.

Kosova, sipas Vitisë, deri më tani ka blerë mbi 2 milionë vaksina dhe ka vaksina të mjaftueshme në stoqe.

Pas Bullgarisë, Kosova bëhet vendi i dytë në Ballkan ku vendos qytetari se cilën vaksinë dëshiron të bëjë. Nga ana tjetër, Kosova ka blerë vetëm vaksina perëndimore të certifikuara nga Evropa dhe SHBA. Edhe vaksinat e dhuruara, Kosova ka pranuar vetëm ato perëndimore.

Ndërsa në Shqipëri më së shumti përdoren vaksinat turko-kineze dhe ato ruse, ndërsa Pfizer jepet me pikatore.