Transmetuar më 10-07-2021, 00:39

Agjencia Evropiane e Barnave EMA, njoftoi se vaksinat e prodhuara nga Pfizer BioNTech dhe Moderna kanë një efekt anësor të inflamacionit në zemër.

Për këtë shkak, EMA ka shtuar këtë simptomë në efektet e tjera anësore që shkaktojnë këto dy vaksina.

Agjencia njoftoi se efektet anësore janë vërejtur më shumë te burrat e rinj.

Ajo pohoi se të paktën 1200 persona janë diagnostikuar me këtë efekt anësor dhe pesë prej tyre kanë humbur jetën.

Mjekët dhe qytetarët janë këshilluar që të jenë të vetëdijshëm për simptomat e inflamacionit në zemër. Në to përfshihen dhimbja në gjoks dhe ndjesi të mosmarrjes frymë.

Megjithatë, kjo Agjenci ka thënë se përfitimet e vaksinave kundër koronavirusit vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet.

Edhe rregullatori për Barnat në Shtetet e Bashkuara, ka shtuar një paralajmërim në vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, për inflamacion në zemër, për ata që marrin këto doza.

Paralajmërimi këshillon mjekët, që janë duke dhënë vaksina, se ka pasur raportime për reaksione, të cilat sugjerojnë për rritje të rrezikut për inflamacion të muskulit apo qeskës së zemrës, dhe se këto simptoma janë vërejtur më shumë te burrat e rinj.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kanë identifikuar 309 hospitalizime nga ky lloj inflamacioni te personat nën moshën 30-vjeçare. Prej tyre, 95 për qind kanë dalë nga spitali kurse 5 për qind, ende jo.