Transmetuar më 13-07-2021, 18:05

Kryeministri Edi Rama ka pranuar sot për herë të parë publikisht se në 10 tenderë, vetëm 3 janë të rregullt kurse shtatë të tjerët janë të zhytur në parregullsi që shkaktohen nga aferat korruptive.

Duke folur sot me ministrat aktualë lidhur me tenderët e kryer nga institucionet shtetërore. Rama tha se 70% e tenderëve të bërë kanë pasur probleme.

Pjesa më e madhe ka pasur probleme sa i takon hartimit të kritereve, tha ai.

"Janë asistuar 936 procedura të publikuara nga këto institucione, ndër to, 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye institucioneve përkatëse janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimeve Publike" tha zoti Rama.

Për kryeministrin problemi më i madh është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve nga ana e kësaj agjencie.

"20% e institucioneve nuk kanë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve. Rekomandimet nuk janë të shkruara në gur, nuk janë të padiskutueshme, por është e padiskutueshëm fakti se, mosreagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente është cënim flagrant i etikës shtetërore”, tha zoti Rama.

“Paketa e re adreson domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve në këtë proces, për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet e konstatuara" tha kryeministri Rama. Nëse rekomandimet e Agjencisë së Prokurimeve Publike do bien në vesh të shurdhët, vetë Kryeministria do t’i referojë rastet në SPAK, paralajmëroi shefi i qeverisë.