Transmetuar më 16-07-2021, 16:49

Festivali “Verknipt” mirëpriti më shumë se 20.000 të pranishëm në qytetin e Utrecht-it (Holandë) më 3 dhe 4 korrik. Ai ka rezultuar të jetë fokusi i shpërthimit më të madh të infeksioneve COVID-19 në vendin europian.

Ky event ishte pjesë e një eksperimenti për të testuar mundësitë e kthimit të këtij lloji të festivaleve, ku maska dhe distanca ndërpersonale nuk ishte e nevojshme. Për më tepër, për të hyrë në turmën që ndiqte festivalin ishte e nevojshme të paraqitej ose çertifikata e vaksinimit ose ajo e kalimit të sëmundjes, megjithëse u lejuan gjithashtu të hynin edhe me një test negativ të bërë 48 orë më parë.

Sipas “NL Times”, gjatë ditës së parë, pas festivalit, rezultuan 448 pjesëmarrës të infektuar, ndërsa në ditën e dytë u konfirmuan edhe 516 njerëz të tjerë me koronavirus. Kryebashkiaku i qytetit të Utrecht-it gjithashtu ndoqi festivalin dhe komentoi përmes Twitter: “Ishte diçka e veçantë dhe gjithashtu shumë emocionuese të shihje kaq shumë njerëz kaq afër, pas një kohe kaq të gjatë".

Ky festival u mbajt disa ditë pasi ekzekutivi holandez zbuti masat për të frenuar pandeminë e COVID-19, por të premten e kaluar qeverisë iu desh të tërhiqej dhe të vendoste përsëri disa kufizime, pas një rritjeje prej 500% të rasteve të reja. Hollanda regjistron më shumë se 10.000 infeksione të reja çdo ditë, numra që e vendosin vendin në shifra që nuk u panë nga dhjetori i kaluar. Përveç kësaj, sipas autoriteteve, këto infeksione po ndodhin veçanërisht tek të rinjtë.