Transmetuar më 16-07-2021, 18:55

Mandati i tretë i Partisë Socialiste do të jetë pozitiv për vendin, thotë analisti Plator Nesturi, duke vlerësuar edhe se Reforma në Drejtësi do ta detyrojë mazhorancën që të jetë korrekte.

Ai sugjeron se dy mandatet e mëparshme janë kufizuar edhe për arsye të opozitës, e cila bojkotoi parlamentin.

“Gjatë mandatit të dytë, një pjesë e madhe e energjive u morën për shkak të situatës politike, daljes nga parlamenti”, u shpreh z. Nesturi, duke shtuar se pikërisht prej këtyre akteve, Partia Demokratike nuk arriti të ketë besueshmëri në zgjedhjet e 25 prillit.

Analisti Nesturi duke analizuar situatën në Euronews thotë se Reforma në Drejtësi ka prodhuar institucione të reja në luftën ndaj korrupsionit, institucione të cilat sipas tij janë më të fuqishme se politika, ndaj edhe qeveria nuk ka rrugë tjetër, veçse t’i ndjekë.

“Më përpara prokurorë dhe gjykatës kishin frikë nga drejtësia, por tani me ligj janë shumë më të fuqishëm se politika”, theksoi z. Nesturi.

Jo vetëm mazhoranca, por edhe opozita duhet të përkrahë Reformën e Drejtësisë, sipas z. Nesturi.

Plator Nesturi tha se kjo reformë ka sipas tij fuqi aq të mëdha ligjore, sa fuqia e prokurorëve dhe gjykatësve mund të bëhet problematike në të ardhmen. Mirëpo për analistin, rëndësi ka që si fillim të luftohet korrupsioni.