Transmetuar më 17-07-2021, 11:45

Ka nisur punimet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, me një minutë heshtje të kërkuar nga Lulzim Basha, për të përkujtuar të gjithë ata që humbën jetën si pasojë e Covid 19.

Në nisje të fjalës së tij, Basha tha se Shqipëria pati koston më të lartë të jetëve të humbura në krahasim me vendet e tjera të Europës, për shkak të keqmenaxhimit të qeverisë së Edi Ramës.

“Të dashur demokratë dhe demokrate, të dashur mbështetës e simpatizantë, të nderuar anëtare dhe anëtare, të dashur bashkëqytetarë, të rinj dhe të reja, jam krenar që ndodhem mes jush në këtë sallë që e lartësoni dhe e zbukuroni me mbështetje. Ju ftoj që të mbajmë një minutë heshtje për jetët e humbura për shkak të COVID-19.

Zoti iu dhënte paqe shpirtrave të tyre dhe iu dhëntë forcë familjeve të tyre. Një bilanc tragjik që bëhet edhe më pikëllues prej indinjatës, ku lotëve të familjarëve, iu kundërvihet propaganda e qeverisë. Kur shqiptarët kishin nevojë për ndihmë, iu ofruan gjoba”, tha Basha.

7500 delagatë të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike janë thirrur këtë të për të votuar Këshillin e ri Kombëtar të kësaj force politike. Mes 600 emrave të propozuar në kryesi nga Lulzim Basha, Kuvendi do të përcaktojë me votë 300 anëtarët e rinj të këtij forumi, që do të përzgjedhë më pas edhe Kryesinë re, ndonëse kësaj të fundit ende si ka mbaruar mandati.

Lista e gjatë e propozimeve të kryedemokratit nuk ka sjellë surpriza, pasi Basha e ka parë të udhës që të dërgojë për votim të gjithë anëtarët e kryesisë dhe ata të Këshillit Kombëtar, përfshi edhe kritikët e tij, Edit Harxhin, ish-Sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani dhe Kryetarin e Këshillit, Bujar Nishani.

Por ky i fundit për shkak të posteve të larta që ka mbajtur nuk i nënshtrohet votimit duke u zgjedhur automatikisht. Ajo që ngjall kureshtje është se pas kritikave të forta në adresë të Bashës, a do ta ripropozojë emrin e Nishanit sërish për të drejtuar Këshillit Kombëtar, apo kryedemokrati ka vendosur t’ia besojë drejtimin e këtij organi ndonjë figure tjetër me peshë në PD.

Gjithashtu, të shtunën do të votohen edhe ndryshimet statutore të propozuar nga kreu i demokratëve Basha, të vetmet që morën pëlqimin e Kryesisë. Përmes tyre Basha synon zgjerimin e kryesisë, Këshillit Kombëtar, shtimin e sekretariateve dhe atë të nënkryetarëve.

Kuvendi Kombëtar do të njihet gjithashtu edhe me analizën e humbjes së demokratëve në zgjedhje, që e cilësojnë masakër elektorale. Pas Lulzim Bashës dhe 19 drejtuesve politikë të qarqeve, fjala do të jetë e hapur për këdo.