Transmetuar më 21-07-2021, 09:04

Zona përreth Urës së Dajlanit dhe në tërësi lagja nr 13 Plazh në Durrës është përfshirë në një vorbull të shitblerjes së drogave të forta duke bërë që të lulëzojë kokaina në lokale dhe rrugë.

Policia e Durrësit pohon se është vënë në lëvizje për të neutralizuar këto afera trafikuese dhe dje rreth orës 14:15, në vendin e quajtur "Nënkalimi i Urës së Dajlanit", kanë ndaluar mjetin tip "BMW", di të dyshuar për trafik kokaine.

Në timon ishte Edmond Gjyzeli dhe pasagjer Arian Plaku. Gjatë kontrollit në mjet, në pjesën e poshtme të sediljes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, Gjyzelit iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me 14 fishekë.

Por nuk mbaron këtu. Gjyzeli, gjatë ndalimit të mjetit nga forcat e Policisë, siç shihni foto dhe videon më poshtë, ka goditur automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale me automjetin e tij dhe gjatë arrestimit, ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit.

Kapja e Gjyzelit dhe Plakut u bë në kuadrin e operacionit të koduar policor "Nënkalimi". Në vijim të këtij aksioni dhe mbajtjes nën vëzhgim nga agjentët e Forcës Operacionale në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Ilir Peraj, 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale "Vrasja" dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion" dhe Stavri Marki, 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi janë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veç kokainës me vlerë 100 mijë euro, u konfiskuan edhe një pistoletë me 14 fishekë, 4 aparatë celularë dhe 2 automjete.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. /noa.al