Transmetuar më 21-07-2021, 23:02

Këngëtari i njohur Genc Prelvukaj ka reaguar pasi dy qytetarë nga Kosova u gjobitën në Shqipëri sepse po lëviznin me makina luksoze me 230 km në orë.

Shpejtësia prej 225km/h ka marrë edhe vëmendjen e mediave zvicerane, të cilat kanë theksuar se dy automjetet nuk ishin në pronësi të shtetasve kosovarë dhe kjo gjë i ka kushtuar atyre humbjen e vendit të punës.

‘Lamborghini’ rezulton e marrë me qira në një kompani që jep makina luksoze me qira, ndërsa pronari i kompanisë nuk kishte dijeni për incidentin e regjistruar në Shqipëri.

Prelvukaj në një shkrim në Facebook shprehet se dy personat që u raportua se makinat i kishin marrë me qira në Zvicër duhet të dërgohen për kontroll mjekësore, të shikohet nëse janë normalë.

Reagimi i plotë në Facebook

“Këta duhet fillimisht të dërgohen në kontroll mjekësore pastaj nëse rezultojnë normal të hapet proces gjyqësor dhe të zbatohen dënimet maksimale. Dy mije e treqind janë shumë pak. I japin makinës (të cilat i paskan marrë me rent) 230km në orë, në rrugë të kufizuara në 80 km. Shpërfillin policinë e Shqipërisë duke ikur dhe mos ndaluar. Rrezikojnë për vdekje njerëz tjerë.

Ironia është që shoferët ishin shqiptarë të Kosovës, rreth të dyzetave, me banim të përhershëm në Zvicër, të cilët i nënshtrohen me perpikmeri rregullave atje. Rruga e tyre për të ardhur bie nga Serbia ose Mali i Zi. Të provojnë t’i japin makinës atje në këtë mënyrë dhe të ikin nga kontrolli i policisë! Turp i madh. Nderojnë rregullat e shteteve të huaja, ndër ta edhe të shteteve me armiqësi ndaj nesh dhe poshtërojnë uniformën e Shqipërisë dhe Kosovës, shtete prej nga janë me origjinë. Plus rrezikojnë fëmijët, gratë e burrat e gjakut të tyre”, thotë Prelvukaj.