Transmetuar më 22-07-2021, 11:16

Qeveria autoritare komuniste e Kinës ka refuzuar publikisht kërkesën e OBSH-së që të kryhen hetime të reja për dyshimin se koronavirusi i ri Sars-Cov-2 doli aksidentalisht ose jo, nga laboratori në Wuhan.

Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkpi fazë të dytë hetimesh për origjinën e Covid-19, si pjesë e të cilës do të zhvilloheshin auditime të laboratorëve dhe tregjeve në qytetin e Wuhanit, me kërkesën për transparencë ndaj autoriteteve.

Por zëvendësministri i komisionit kombëtar të Shëndetësisë Zeng Yixin, e cilësoi këtë si një akt arrogance ndaj shkencës dhe deklaroi se Kina nuk do ta lejojë një gjë të tillë nën sebepin se po na ofendohet shkenca (!)

“Të jem i sinqertë, kur e pashë fillimisht planin e OBSH-së, për një hetim të dytë mbi origjinën e koronavirusit u befasova. Pasi në këtë plan, hipoteza se shkeljet e procedurave laboratorike të Kinës çuan në daljen e virusit nga laboratori, është një prej prioriteteve të hetimeve. Në këtë aspekt, mendoj se plani nuk është i arsyeshëm dhe sfidon shkencën”, deklaroi ai.

Më herët, drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom pranoi se hetimet mbi origjinën e pandemisë në Kinë po pengohen nga mungesa e të dhënave në ditët e para të përhapjes së virusit.

Në dhjetorin 2019 në rrjet dolën disa video, foto dhe të dhëna, të cilat sugjeronin se një virus misterioz kishte infektuar shumë njerëz në Wuhan. Madje dolën pamje teksa njerëz të infektuar këputeshin në tokë dhe disa të tjerë vdisnin rrugëve ose stacioneve të trenave.

Qeveria kineze reagoi vetëm më 30 dhjetor 2019 duke deklaruar se kishte zbuluar një rast të parë me një koronavirus të ri që e emërtuar Sars-Cov-2, si vijim i koronavirusit tjetër Sars që u zbulua më 2004 po në Kinë dhe u përhap në gjithë botën.

Pasi u pranua publikisht se në Wuhan kishte plasut infektimi me kovid, Kina mbylli kufijtë e saj duke ndaluar të futen në atë vend, pa bllokuar për disa javë që të dilnin vendas dhe të huaj nga ky shtet me popullsi mbi 1.3 miliardë banorë.

Në pak javë kovidi u përhap fillimisht në Evropë e më pas në gjithë botën duke shkaktuar një tragjedi të tmerrshme. Zyrtarisht rreth 200 milionë njerëz të infektuar e mbi 2 milionë të vdekur, por shumëkush pohon se shifrat janë disa herë më të larta.

Jo vetëm kaq, miliarda njerëz në botë u tronditën nga pandemia, u zhytën në karantinë që vijon e pjesshme dhe mbarë bota ka pësuar shkatërrim ekonomik që vlerësohet në disa qindra trilionë dollarë. /noa.al