Transmetuar më 23-07-2021, 10:43

Arresti kardiak që pësoi në fushë, gjatë ndeshjes midis Danimarkës dhe Finlandës, në “Euro 2020”, mund të shënojë karrierën e Christian Eriksen.

Kthimi në Serie A i yllit danez mbetet në dyshim, madje për momentin duket shumë i vështirë.

Mesfushori i Interit mbajti botën e futbollit pa frymë gjatë kolapsit shëndetësor që pësoi gjatë ndeshjes së vlefshme për fazën e grupeve të Kampionatit Europian.

Pas frikës së madhe dhe ndërhyrjes në kohë të stafit mjekësor të ekipit kombëtar danez, 28-vjeçari u shtrua në “Rigshospitalet” të Kopenhagës dhe pas kontrolleve specifike iu vendos një defibrillator nënlëkuror.

Eriksen taken to hospital after collapsing at Euro 2020 - The Peninsula Qatar

Doktor Francesco Braconaro, anëtar i Komitetit Teknik Shkencor të FIGC (Federatës Italiane të Futbollit), foli në frekuencat e “Radio Kiss Kiss Napoli” mbi gjendjen shëndetësore të Christian Eriksen:

"Në Itali, Eriksen nuk mund të luajë me defibrilator në trup. Nëse defibrilatori i lojtarit hiqet, sepse patologjia mund të shërohet, ai mund të kthehet tek Interi".

Në javët e ardhshme, mesfushori danez i Interit do t’iu nënshtrohet testeve të reja instrumentale për të parë nëse mund të heqë dorë nga defibrilatori dhe të kthehet të veshë fanellën zikaltër.

Interi nuk u kap i papërgatitur dhe mori masa paraprake me një goditje të zgjuar në merkato. Po flasim për Hakan Calhanoglu, i cili arriti me parametra zero nga Milani, pas skadimit të marrëveshjes me kuqezinjtë.

Mesfushori turk konsiderohet si alternativa e Eriksen, duke pritur të kuptohet se cila do të jetë e ardhmja e danezit.