Transmetuar më 23-07-2021, 15:00

Sulmuesi anglez, i cili ishte pjesë e “Tre Luanëve”, që përfunduan nënkampionë në “Euro 2020”, bëhet blerja e parë e Ole Gunnar Solskjaer në merkaton e kësaj vere.

Pasi përfundoi me sukses kontrollet mjekësore dhe ra dakord për kushtet personale të kontratës me “Djajtë e Kuq”, talenti i ri firmosi edhe marrëveshjen afatgjatë.

Manchester United ka konfirmuar transferimin e plotë, teksa Sancho do të shtojë një listë mbresëlënëse sulmuesish në “Old Trafford”, që përfshin emra të tillë si Marcus Rashford, Edinson Cavani, Mason Greenwood dhe Anthony Martial.

Pas një sage transferimi të gjatë, që filloi më shumë se një vit më parë, Manchester United më në fund ra dakord për një tarifë transferimi të anësorit të djathtë me Dortmund.

Shuma e paguar është 80 milionë euro, nuk ka bonuse të tjera të përfshira në marrëveshje.

Ai ka nënshkruar një marrëveshje 5-vjeçare, me opsionin edhe për një vit tjetër. Në një deklaratë që konfirmonte nënshkrimin e tij, Sancho tha: “Unë do t’i jem gjithmonë mirënjohës Borussia Dortmundit që më dha mundësinë për të luajtur futboll në ekipin e parë, megjithëse e dija që do të kthehesha në Angli një ditë.

Shansi për t’u bashkuar me Manchester United është një ëndërr e realizuar dhe mezi pres të performoj në Premier League. Kjo është një skuadër e re dhe emocionuese, së bashku mund të bëjmë diçka të veçantë".

Solskjaer shtoi: “Jadon mishëron llojin e lojtarit që dua të sjell në klub. Ai është një lojtar sulmues, me traditat më të mira të Manchester United. Jadon do të jetë pjesë integrale e skuadrës sime për vitet që vijnë dhe mezi presim ta shohim atë të luajë. Golat dhe asistet e tij flasin vetë. Gjithashtu, ai do të sjellë ritëm të jashtëzakonshëm, dinakëri dhe krijimtari për ekipin”.