Transmetuar më 24-07-2021, 10:05

Partia Demokratike përmes një postimi me video në rrjetet sociale, ka sjellë në vëmendje kohën kur kryeministri Edi Rama thoshte se Shqipëria nuk do të ketë asnjë gjyq të humbur në arbitrazh, dhe nuk do të paguajë asnjë lekë.

Mirëpo tashmë është fakt se gjyqi me biznesmenin italian Beccheti është i humbur, ndërkohë që në rrezik janë dhe gjyqe të tjerë, që në total do të sillnin një kosto prej 447 milionë eurosh për buxhetin shqiptar.

PD thotë se ata presin nga SPAK të hetojë me përparësi këto ccështje, pasi ccdo orë që kalon, rrit dëmin ekonomik ndaj qytetarëve shqiptarë.

Sa i takon gjyqin të humbur me sipërmarrësin italian, ishte vetë ministrja e Financave Anila Denaj, ajo që tha disa ditë më parë, se shteti shqiptar do ta paguajë atë detyrim, nëse merr fund me humbje e gjithë beteja ligjore.

Postimi i plotë i PD-së:

447 milionë euro, kjo është fatura e Edi Ramës për familjet shqiptare

447 milionë euro, kjo është fatura e Edi Ramës për familjet shqiptare. Imagjinoni sa probleme të vogla dhe të mëdha për shqiptarët do të zgjidhte kjo shumë marramendëse, që fatkeqësisht do të kthehet në një peshë për buxhetin e çdo familje, që do të detyrohet të paguajë papërgjegjshmërinë e Edi Ramës.

447 milionë euro nuk do të shkojnë për spitale, shkolla, kopshte, investime në infrastrukturë, ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, por për të paguar dëmet e shkaktuara nga një pakicë që ka shkatërruar ekonominë dhe po varfëron shqiptarët.

Në 8 prill 2021 Partia Demokratike ka depozituar në SPAK kallëzimin për çështjen “Becchetti”. Ne presim që ajo të hetohet me përparësi, sepse çdo orë vonesë tashmë përkthehet në një dëm ekonomik të pakthyeshëm për qytetarët.