Transmetuar më 24-07-2021, 13:22

Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, ka nënshkruar një kontratë të re me klubin deri në vitin 2024, me mundësinë e shtyrjes edhe një vit tjetër. Ish-sulmuesi i “Djajve të Kuq” fillimisht erdhi si trajner i përkohshëm në “Old Trafford”, në dhjetor 2018, duke zëvendësuar Jose Mourinho e shkarkuar.

Pasi e udhëhoqi Manchester United drejt 14 fitoreve në 19 ndeshje, norvegjezi u shpërblye me një kontratë 3-vjeçare më 2019, e cila pritej të skadonte në fund të sezonit 2021-2022. Solskjaer e udhëhoqi skuadrën nga “Old Trafford” drejt vendit të tretë në Premier League, në sezonin e tij të parë të plotë në krye të saj. Manchester United përfundoi i dyti në Premier League, sezonin e kaluar, kur gjithashtu arriti në finalen e “Europa League”. Aty u mund me penallti nga skuadra e La Liga-s, Villarreal.

Për faqen e klubit, trajneri norvegjez nënvizoi, pas hedhjes së firmës në kontratën e re: "Të gjithë e dinë dashurinë ndjesinë që kam për këtë klub. Jam i kënaqur që kam nënshkruar këtë kontratë të re. Është një kohë emocionuese për Manchester United, kemi ndërtuar një skuadër me ekuilibër të mirë mes të rinjve dhe atyre me përvojë, që janë të etur për sukses.

Unë kam një grup lojtarësh fantastikë. Të gjithë jemi gati të hedhim hapin tjetër në udhëtimin tonë. Manchester United dëshiron të fitojë trofetë më të mëdhenj, kjo është ajo për të cilën po përpiqemi të gjithë. Ne jemi përmirësuar, si brenda dhe jashtë fushës, kjo do të vazhdojë gjatë edhe sezoneve të ardhshme. Mezi pres të dal përpara një ‘Old Trafford’ të mbushur me sadopak tifozë dhe ta filloj sezonin e ri".

Nga ana e tij, nënkryetari ekzekutiv, Ed Woodward, shtoi: "Ole dhe stafi i tij kanë punuar pa u lodhur, duke vendosur bazat për suksesin afatgjatë në fushë. Rezultatet e kësaj filozofie janë bërë gjithnjë e më të dukshme gjatë dy sezoneve të fundit. Ne të gjithë po presim me padurim të shohim këtë ekip emocionues që të zhvillohet më tej në vitet në vijim.

Veçanërisht e këndshme është mënyra se si është arritur ky përparim, me një përzierje të talenteve të rinj, të rritur në shtëpi, dhe përforcimeve të klasit të lartë, duke luajtur futboll sulmues, sipas traditave më të mira të Manchester United. Jemi më të sigurt se kurrë se, nën udhëheqjen e Ole, po shkojmë në drejtimin e duhur".