Transmetuar më 25-07-2021, 09:30

Pavel Nedved, zv.presidenti i Juventusit, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të “Sky Sport” pas ndeshjes miqësore mes Juventusit dhe Cesena, e fituar nga të tijtë 3-1. Në veçanti, numri 2 i klubit bardhezi u përqendrua te situata e Cristiano Ronaldos, duke deklaruar: "Ai kthehet të hënën, më 26 korrik, dhe do të qëndrojë me ne".

Më tej, disa fjalë për miqësoren e parë, pas rikthimit të Allegri në stol: "Ndjesitë janë pozitive dhe të bukura. Po punohet shumë. Në pjesën e parë aktivizuam gjashtë lojtarë të lindur pas viteve 2000. E përsëris, jemi të lumtur me testin e parë, po rritemi".

Lidhur me marrëdhëniet me Dybala dhe të ardhmen e argjentinasit: "Marrëdhëniet nuk ishin të ftohta, jemi në kohë. Cherubini është në kontakt me agjentin e tij për rinovimin, i cili do të mbërrijë në Torino në ditët e ardhshme".

Sigurisht, duhej një sqarim edhe për rinovimin e Chiellini: "Giorgio është me pushime. Le t’i japim kohë të rimëkëmbet dhe pastaj do të flasim me qetësi për rinovimin e tij".

Më në fund, komenti për Max Allegri: "Shumë i ngazëllyer, me gjithë stafin e tij, me një dëshirë të madhe për të bërë mirë. Ai ishte jashtë trajningut për dy vite dhe tani është i uritur. Bashkëjetesa në formacion mes Dybala dhe CR7? Një kënaqësi për t’i parë të luajnë së bashku. Kjo është në dorë të trajnerit, që ka shumë përvojë. Të presim e të shohim si do të luajë Juventusi në sezonin e ri”.