Transmetuar më 25-07-2021, 10:28

Një sulmues “i modës së vjetër”, i aftë për të mbajtur peshën e repartit ofensiv, duke luftuar krah për krah me mbrojtësit kundërshtarë. Një pikë referimi përpara për shokët. Jo një “snajper” i pagabueshëm, por një strehë e sigurt për t’u mbështetur në rast vështirësie dhe për t’i besuar topin për të përfunduar aksionin. Me gjatësinë e tij prej 192 centimetra dhe 89 kilogramë, Igli Tare mishëronte një profil atipik të sulmuesit qendror. Madhësia trupore e e bëri një lojtar unik të llojit të tij.

I lindur në Vlorë më 1973, shqiptari filloi ta godiste topin në rrugët e qytetit të tij. Atje, në rrugicat e qytetit bregdetar, Igli dashurohet me futbollin dhe kultivon pasionin e tij falë ndeshjeve në rrugë me moshatarët. Në moshën 9 vjeç arrin mundësia e parë e madhe. Tare bashkohet me sektorin e të rinjve të Partizanit. Pikërisht me klubin e kryeqytetit bëri debutimin e tij në moshën 15 vjeç, saktësisht më 1988.

Si shumë të rinj të brezit të tij, të cilët u larguan nga Shqipëria në vitet 90-të të shekullit të kaluar për të kërkuar fatin diku tjetër, Igli la vendin e lindjes dhe shkoi në Greqi. Në tokën helene arriti të tregojë talentin e tij, por nuk mundi të federohet, sepse nuk kishte dokumenta.

Kaiserslautern's Igli Tare News Photo - Getty Images

"Ata nuk ma dhanë shansin, sepse nuk isha nga Vorio Epiro, domethënë nuk i përkisja pakicës greke në Shqipëri. E gjeta veten në dilemë të madhe: midis kthimit në Shqipëri, ose heqjes dorë nga kombësia shqiptare në favor të asaj greke. Kjo e fundit, sinqerisht më dukej absurde. Nuk doja ta pranoja kurrë. Duke mos pasur asnjë zgjidhje tjetër, u ktheva në Shqipëri", – ka thënë vetë ish-sulmuesi në një intervistë për “Bota Shqiptare”.

Zhgënjimi ishte i madh, por dashuria për futbollin dhe dëshira për t’u shfaqur edhe më shumë. Tare arrin të transferohet në Gjermani. Ai u bë pjesë e futbollistëve shqiptarë, që do ta ndërtonin karrierën e tyre larg atdheut.

"Ne u desh të përballeshim me vështirësi të papërshkrueshme. Për mua ishte shumë e vështirë, sepse vija nga një futboll shumë i dobët, pa ndonjë prestigj. Kështu që duhej ta filloja nga e para, duke pyetur seriozisht veten time nëse mund t’ia dilja", – kujton sot drejtori sportiv i Lazio.

Ai fillon të luajë në ligat e vogla, së pari me Waldhof Mannheim dhe më pas me Ludwigshafen. Pastaj vjen shansi i karrierës, që quhet Karlsruhe, klub i Bundesligës. Në vitin 1996 luan me ekipin rezervë, pastaj promovohet në ekipin e parë, në Bundesligën gjermane.

Në vitin 1997, Tare u bashkua me Fortuna Dusseldorf. Dy sezonet në brigjet e lumit Rhine janë ndër më të frytshmit në karrierën e tij. Në vitin e parë shënoi 13 gola në kampionat, ndërsa në sezonin vijues (98/99) golat janë madje 14 në total, midis 2 kompeticioneve; Bundesliga dhe Kupa e Gjermanisë. Në të njëjtin vit arrin edhe debutimi me fanellën e kombëtares shqiptare dhe goli i parë kuqezi. Kalendari shënon 11 tetor 1997 kur, gjatë një ndeshje kualifikuese në Kupën e Botës 1998, Tare shënoi golin e parë me ekipin kombëtar, në humbjen 4-3 kundër Gjermanisë, në Hanover.

Igli Tare Albania Pictures and Photos - Getty Images | Albania, Photo, Bbc  broadcast

Numrat e Iglit nuk kalojnë pa u vënë re. Eshtë Kaiserslauterni, klubi që do ta blinte në verën e vitit 1999. Ai do të qëndronte në Rhineland për një vit e gjysmë, koha sa për të bërë hapin final cilësor dhe për të tërhequr vëmendjen e Serie A. Në janar 2001, në moshën 26-vjeçare, Brescia e drejtuar nga Carlo Mazzone siguroi shërbimet e sulmuesit shqiptar. Debutimi në Serie A vjen më 28 janar, kundër Milanit, në stadiumin “Rigamonti”. Tare zë vendin e Andrea Pirlo në minutën e 84-t të ndeshjes, që do të përfundonte 1-1. Për golin e parë duhej të priste një javë. Më 4 shkurt, shqiptari vendosi firmën e tij në fitoren 3-1 në Bari.

Seria A është një ëndërr që bëhet realitet. Duke u rritur, duke vëzhguar, me një përzierje habie dhe admirimi për Milanin e Arrigo Sacchi dhe hollandezëve, Tare është frymëzuar nga Marco Van Basten, pavarësisht se ishte e vështirë për të që ta imitonte për shkak të karakteristikave krejtësisht të ndryshme.

Në muajt e parë në Itali, Tare është alternativa numër një ndaj Dario Hubner, krahas talentit kristal të Roberto Baggio, në 3-5-2 e “dallëndysheve”. Njerëzia dhe klasi i “Bishtalecit Hyjnor” e goditi shokun e ri të skuadrës, i cili më vonë do të deklaronte: "Më bëri përshtypje përulësia e tij. Roberto kurrë nuk më bëri ta vuaj emrin dhe famën e tij në fushë. Unë e konsideroj atë një shembull për të gjithë".

Verën tjetër, Brescia vendosi të marrë disa “hite” shumë interesante në merkato: nga Pep Guardiola, i cili mbërriti nga Barcelona, ​​te çifti i sulmuesve të formuar nga 24-vjeçari Luca Toni nga Vicenza dhe 19-vjeçari Andrea Caracciolo nga Como. Konkurrenca rritet për Igli Tare, i cili pavarësisht një reparti të shumëllojshëm, arrin të gdhendë hapësirën e tij. Ai mblodhi 30 ndeshje, 6 gola dhe 2 asiste. Brescia siguroi mbijetesën në Serie A dhe sulmuesi shqiptar mbeti aty edhe një sezon tjetër. Më 2002-2003, Tare ruajti pozicionin e titullarit, përveç një periudhe rënie midis marsit dhe prillit. E mbylli sezonin me 6 gola dhe një asist.

Marrëdhënia me trajnerin Carlo Mazzone ishte e veçantë, aq sa ai e ndjek atë te Bologna në verën e vitit 2003. Tare pranon propozimin e klubit të Bologna, i cili me kërkesë të trajnerit e rrëmben nga Brescia. Në kryeqytetin emilian, sulmuesi shqiptar shënoi 7 gola në sezonin e parë dhe 6 në të dytin e të fundit. Tare hyn në zemrat e tifozëve “rossoblù” për profesionalizmin e tij të madh dhe nuhatjen për golin.

Përvoja te Bologna përfundoi më 2005. Telefoni i Igli Tares ra nga presidenti i Lazio, Claudio Lotito, i cili i ofroi atij një kontratë dhe i premtoi rolin e një alternative luksoze në ekipin e drejtuar nga Delio Rossi. Shqiptari kompletoi sulmin me Tommaso Rocchi, Paolo Di Canio, Goran Pandev, Simone Inzaghi dhe Roberto Muzzi.

Në hijen e “Coloseum”-it, Igli Tare luajti tri sezonet e fundit, para se “t’i varte këpucët në gozhdë” dhe të fillonte jetën e një menaxheri. Në vitin e tij të parë shënoi tre gola kundër Empolit, Siena dhe Ascoli. Në verën e vitit 2008, Tare vendos të “pensionohet”, por mbetet te Lazio për të filluar një rrugë të re në kapacitetin e menaxherit.

Igli Tare vjen me një rrëfim ndryshe: Nga Partizani tek Guardiola e Baggio  - Tirana Today

"Pas karrierës time si futbollist isha i bindur se do të qëndroja në këtë botë, nuk e dija si menaxher apo si trajner. Jeta ime do të mbetej akoma e lidhur me futbollin. Ky sport ka qenë një pikë referimi dhe, kur isha lojtar, e mendoja në një mënyrë tjetër nga të tjerët. Unë isha i interesuar për atë që ndodhte jashtë fushës, isha kurioz për menaxhimin e një klubi dhe kjo më ka ndihmuar shumë gjatë karrierës sime”, – ka pohuar shtatlarti.

Igli Tare ka përmbushur ëndrrën e tij për t’u bërë futbollist. Duke filluar nga Shqipëria e tij, ku lindi më  1973 ndërtoi, nisi një rrugë të gjatë dhe të lodhshme, që e bëri atë të hiqte shumë kënaqësi si loja në Ligën e Kampionëve, duke veshur shiritin e kapitenit të ekipit të tij kombëtar dhe duke luajtur së bashku me legjendat si Roberto Baggio dhe Pep Guardiola.