Transmetuar më 25-07-2021, 15:41

Ndërkombëtari polak i Bayern Munich, Robert Lewandowski, është zgjedhur për vitin e dytë radhazi lojtari më i mirë në Bundesliga, sipas rezultateve të një sondazhi të botuar nga revista gjermane “Kicker”. Në fakt nuk ishte një fitore e papritur, teksa bomberi i skuadrës bavareze grumbulloi 356 vota nga 563 votues në total.

Të drejtën e zgjedhjes (votës) e kishin gazetarët sportivë gjermanë, të cilët i dhanë polakut vlerësimin maksimal. I dyti në këtë sondazh doli Thomas Muller me 41 vota. Erling Haaland i Borussia Dortmund rezultoi i treti, me 38 vota pro tij.

"Unë jam i vetëdijshëm se sa i madh është ky nder", – tha Lewandowski, 32 vjeç. Sulmuesi shënoi 41 gola për Bayernin, që fitoi titullin e Bundesligës në sezonin e kaluar, duke përmirësuar rekordin e 40 golave të Gerd Muller, më 1971-1972, i konsideruar prej kohësh i pamposhtur.

Nicole Billa e Hoffenheim u emërua futbollistja e vitit në të njëjtin sondazh, ndërsa “timonieri” fitues i Ligës së Kampionëve me Chelsea, Thomas Tuchel, u zgjodh trajneri më i mirë i vitit të kaluar.

Për më tepër, Tuchel u emërua pasardhës i trajnerit të ri të Gjermanisë, Hansi Flick, i cili fitoi çmimin një vit më parë, pasi udhëhoqi Bayern Munich drejt fitimit të tripletës. "Unë jam shumë mirënjohës që e marr këtë çmim, si një vlerësim për të gjithë ekipin", –  tha Tuchel, i cili mori 129 nga 559 votat në total, karshi 118 të tilla për Flick.