Transmetuar më 25-07-2021, 16:31

Cristiano Ronaldo iu ka dhënë fund pushimeve verore dhe sapo është kthyer në Torino. Avioni i tij privat aterroi në aeroportin “Sandro Pertini di Caselle” rreth orës 15:10 të kësaj të diele.

Në orët e ardhshme, CR7 do t’iu nënshtrohet ekzaminimeve të zakonshme mjekësore, pastaj do të jetë në gjendje të bashkohet me shokët e tij të skuadrës së Juventusit dhe të fillojë punën nën urdhrat e Allegrit për sezonin e ardhshëm.

Me “bateritë e karikuara” mirë, i çlodhur, Ronaldo kthehet për të qëndruar, siç siguron zv.presidenti Pavel Nedved. Thashethemet e merkatos gjatë pushimeve nuk e kanë dëmtuar të ardhmen e yllit portugez te “Zonja e Vjetër”. Atij i mbetet edhe një vit nga kontrata aktuale.

Ka zëra që flasin se dy palët po negociojnë për një kontratë të re, sigurisht me pagë dukshëm më të ulët se aktualja, por me kohëzgjatje të konsiderueshme. Pra, pak a shumë po tentohet një kontratë si ajo e Messit me Barcelonën, në kushtet e krizës së madhe financiare që po vuajnë klubet prej pandemisë.

U fol shumë se 36-vjeçari mund të kthehej te Manchester United, se mund të zëvendësojë Kylian Mbappe te PSG, nëse talenti francez kalon te PSG. Sidoqoftë, me zbarkimin e sotëm në Torino, këto skenarë hipotetikë kanë rënë poshtë. Ankthi i tifozëve bardhezinj ka marrë fund, Ronaldo nis nesër stërvitjen me Juventusin dhe do të qëndrojë aty të paktën edhe një sezon.