Transmetuar më 26-07-2021, 09:34

Pas shumë thashethemesh, Franck Kessié, i cili ka nofkën "Presidenti" te kuqezinjtë, tani flet vetë dhe qartë mbi të ardhmen. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë, të cilit i skadon kontrata më 2022 me Milanin, ka sqaruar gjithçka, duke larguar të gjitha llojet e dyshimeve. Në një intervistë të gjatë të botuar nga edicioni i sotëm i “Gazzetta dello Sport”, Kessié lëshoi fjalë dashurie për ngjyrat kuqezi dhe tifozët:

“Jam krenar që kam zgjedhur Milanin dhe nuk është qëllimi im të largohem. Në fakt, unë dua të qëndroj përgjithmonë. Unë e kuptoj frikën e tifozëve, por ata duhet të jenë të sigurt. Gjithmonë e mbaj fjalën, ata duhet të më njohin”.

Fjalë që dëshironin të dëgjonin të gjithë në shtëpinë e Milanit, të cilat vijnë përmes telefonit nga Japonia, ku futbollisti është i angazhuar me kombëtaren e vet në Lojërat Olimpike të Tokios: "Unë dua të shënoj me fanellën e Bregut të Fildishtë. Lojërat Olimpike janë diçka unike. Sa më shumë që luaj, aq më mirë ndihem. Jam super i motivuar, mezi pres të përqafoj shokët e skuadrës dhe trajnerin Pioli përsëri. Një sezon i ngarkuar na pret".

Mendimi pastaj shkon në Lojërat Olimpike, në sezonin e ardhshëm dhe në Champions League, për t’u luajtur me ngjyrat kuqezi: "Kur të kthehem nga Olimpiada do të zgjidh gjithçka. Unë thjesht dua që Milani, Maldini dhe Massara t’i dinë mendimet e mia. Champions-i? Ne e dëshironim atë me çdo kusht. Dhe e kemi siguruar me meritë. Tani duhet të nderojmë emrin që ka Milani në Europë. Ne nuk do të zhgënjejmë".

Midis lamtumirës dhe mbërritjes…; dyert rrotulluese kanë funksionuar në shtëpinë e Milanit. Shokë të vjetër dhe të rinj për Kessié: "Ne ndamë një pjesë të rëndësishme të jetës sonë me Donnarummma dhe Calhanoglu. Pastaj, Gigio është portieri më i fortë në botë tani. Lojtarë të rinj të rëndësishëm kanë ardhur. Giroud nuk ka nevojë për komplimentet e mia, jam i lumtur që është duke luajtur për ne tani".