Transmetuar më 26-07-2021, 10:22

Shaq, Popeye, Xhuxhi Magjik, Aladdin. Xherdan Shaqiri nuk mendon se është një super hero i Marvel, por mund të bëjë ende shumë në futboll. Ai ka nofka të famshme, teksa në fushë është një sulmues "aksioni" dhe "fantazie". 29-vjeçari ka një fizik në kufirin midis njeriut dhe bionikut, me efekte speciale, për të cilën thotë: "Një çështje gjenetike, familjare".

Pjesa më e madhe e historisë së tij është shkruar me muskuj, në ato pulpa këmbe si prej mermeri, që duken transgjenikë, të cilët lëshojnë fuqi shpërthyese. Shaqiri është përsëri në merkato, mund të largohet nga Liverpool-i një vit para mbarimit të kontratës, me kushte të favorshme. Ai ëndërron të kthehet në Itali për të shpaguar përvojën e tij jo fort pozitive me Interin (2015) dhe të “sfilojë” në ekranin e madh të Serie A.

Lazio e ka ndjekur atë në të kaluarën, mund të jetë një opsion. Sarri është duke pritur për Brandt të Borussia Dortmund, por nëse Correa largohet, shqiptari i Zvicrës të ishte një alternativë ndaj tij dhe Felipe Anderson. Shaqiri, pas tre golave ​​të tij në Kampionatin Europian (ndaj Turqisë dhe Spanjës), duke zbuluar veten, e rrëfen jetën e tij si një film për “Corriere dello Sport”.

Xherdan Shaqiri, i njohur si "Aladdin", këmbët magjike në vend të llambës çudibërëse dhe golat e festuar me krahët e palosur si një gjeni. Ka shumë imagjinatë në futbollin tënd…

Gjithçka filloi rastësisht, hera e parë e asaj mënyre festimi të golave ishte spontane. Pastaj e përsërita sepse më pëlqeu.

Pulpat tuaja të këmbëve janë gjithashtu magjike… Klopp, i tronditur, një ditë tha: muskujt e Shaqirit janë mahnitës, të veçantë, ka një fizik ndryshe nga çdo lojtar tjetër që kam parë ndonjëherë…

 Jo, jo (të qeshura), unë nuk jam jashtëtokësor. Ky lloj fiziku është një karakteristikë që buron nga gjenet e familjes time, nuk ka sekrete.

A është e vërtetë që para se të përparosh në futboll, ke punuar në një dyqan rrobash?

Po, është e vërtetë. Ashtu si çdo lojtar i ri, që jeton dhe luan në Zvicër, mua më duhej një punë, edhe pse isha shumë i zënë me futbollin dhe atëherë. Ishte një pasion, ende sot ndihem i tërhequr nga moda, nga rrobat e bukura…

Xherdan Shaqiri, Liverpool

Shaqiri, a dëshiron të kthehesh në Itali? Një herë ke thënë se je dashuruar me këtë vend…

Sigurisht. Kush nuk është i dashuruar me stilin e jetës italiane, me italianizmin… Ajo që bie vërtet në sy është dashuria italiane për futbollin. Futbolli është jeta në Itali. Tifozët janë të pabesueshëm.

Emri juaj në të kaluarën shpesh është lidhur me Lazion. Kjo po ndodh përsëri, ju mund të jeni një opsion për objektivat kryesore sulmuese të Sarrit. Drejtori Tare ju ndiqte shpesh, keni pasur ndonjë kontakt të ri?

Igli Tare ka bërë një punë të shkëlqyer te Lazio për vite me radhë. Nëse është e vërtetë që ka respekt të madh për mua si futbollist, jam vërtet i nderuar. Unë e kam ndjekur Lazion prej një kohe të gjatë, është një klub i nivelit të lartë.

A do ta shihnit veten në skemën e Sarrit 4-3-3?

Në përgjithësi, edhe për shkak të karakteristikave të mia, më pëlqen të luaj futboll më sulmues dhe Sarri e praktikon këtë. Do të ishte vërtet intriguese.