Transmetuar më 26-07-2021, 17:06

Si fizioterapist, Andre van Alphen ka ndjekur shumë emra të mëdhenj të futbollit gjatë gjithë karrierës së tij. Ai punoi për Tottenham, por gjithashtu ndoqi lojtarë si Wesley Sneijder, Frenkie de Jong dhe Burak Yilmaz.

Për ish-mesfushorin zikaltër, pjesë e skuadrës fituese të “tripletës” historike me Mourinhon trajner, van Alphen tregoi disa anekdota jo fort të këndshme. "Wesley është një djalë shumë besnik dhe gjithmonë vinte tek unë kur kishte probleme", – tha fizioterapisti për “Voetbal International”.

– Dëshira e tij për t’u bërë mirë ishte aq e pabesueshme. Ndonjëherë, kur punoja me të në orare të tjera, duhej ta bindja që të mos dilte për darkë natën, për shembull. Ai abuzonte me të ngrënit dhe pijen, por e kompensonte me talentin e masdh që posedonte.

Kishte raste që sillej si një fëmijë, vazhdonte të rezervonte restorante fshehurazi, ose papritmas miqtë do t’i shfaqeshin në derë për darkë. Ai vepronte sikur të mos e kishte idenë se nga po i vinin problemet kaq papritur".

Më vonë, ish-mesfushori hollandez ka pranuar abuzimet në karrierë, duke pohuar: "Unë mund të isha bërë si Messi ose Ronaldo. Thjesht nuk punova si ato. Më pëlqente jeta ime, mbase kam pirë ndonjë gotë verë në darkë. Leo dhe Cristiano janë të ndryshëm, ata kanë bërë shumë sakrifica. Karriera ime, megjithatë, ishte akoma e mahnitshme".