Transmetuar më 04-08-2021, 17:47

Qytetarët në Athinë janë këshilluar që të qëndrojnë brenda në shtëpi, ndërsa zjarrfikësit janë duke luftuar me zjarret që kanë përfshirë pyjet në periferi të kryeqytetit.

Shërbimi zjarrfikës i Greqisë tha të mërkurën se shpresonte të vinte nën kontroll zjarrin në periferitë e Athinës, ndërsa më shumë se 500 zjarrfikës ndodheshin në terren.

Ata u ndihmuan nga nëntë helikopterë, pesë avionë, policia dhe ushtria.

“Ishte një natë jashtëzakonisht e vështirë,” tha Shefi i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias ndërsa vizitoi një qendër të departamentit të zjarrfikësve në zonë të mërkurën.

Ai tha se zjarrfikësit kishin vënë nën kontroll katër fronte aktive të zjarrit brenda natës, por paralajmëroi se kishte “ende shumë punë për të bërë”.

Një zyrtar i brigadës së zjarrfikësve paralajmëroi se zjarri, më i madhi nga 81 zjarret që shpërthyen në Greqi nga e hëna vonë deri të martën vonë, ishte “ende i furishëm”.