Transmetuar më 12-08-2021, 18:55

Prezenca e lartë e një lënde toksike në akulloret e prodhuara nga kompani të mëdha si Snickers, Smarties, Lion, apo Nestlé ka bërë që Autoritetet e Kontrollit Ushqimor në Francë, Belgjikë, Serbi e Qipro t’i ndalojnë këto produkte, të cilat tregtohen edhe në vendin tonë.

Nga analizat rezulton se disa seri të produkteve të akulloreve Bounty, Snickers, Mars dhe Twix, janë të kontaminuara me një lëndë kancerogjene, oksid i etilenit, dhe janë ndaluar të tregtohen. Oksidi i etilenit, sipas ekspertëve ka aftësinë të dëmtojë ADN-në dhe të shkaktojë kancer.

Specialistë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit bënë të ditur në News24 se ky institucion është sinjalizuar nga institucione ndërkombëtare nëpërmjet sistemit RASFF për këtë problem. Sipas AKU, bëhet fjalë për akulloret Bounty, Snickers, Mars dhe Twix, por jo për të gjithë sasinë, vetëm për 4 lote.

AKU bën të ditur se u ka kërkuar distributorëve që të marrin masa urgjente për tërheqjen e akulloreve nga tregu. Subjekteve importuese u është lënë detyrë të njoftojnë pikat ku kanë shpërndarë këto akullore që të bëjnë kthimin dhe më pas të procedohet me asgjësimin e produktit.

Nga kompanitë që janë distributore të këtyre produkteve në Shqipëri, nuk ka aktualisht ndonjë reagim zyrtar.

Përditësim, 16 Gusht 2021

Kompania Mars Wrigley flet mbi produktet e hequra nga tregu

Kompania Mars Wrigley reagoi pasditen e të hënës në një njoftim zyrtar pas publikimeve në media në lidhje me tërheqjen nga tregu të akulloreve të saj. Ajo thotë se "konsumi i akulloreve të markës Mars Wrigley nuk është i dëmshëm" dhe shton:

"Akulloret e markës Mars Wrigley që preken janë vetëm ato të listuara në tabelën më poshtë. Asnjë prej markave, produkteve, kodeve të serive, ose datave të skadencës të tjera të Mars Wrigley nuk janë prekur. Çokollatat e markës Mars Wrigley nuk janë prekur. Gjithashtu, duhet te theksojmë se akullorja e markës M & Ms nuk shitet fare në tregun shqiptar".

Në vijim Mars Wrigley pranon se "ka tërhequr akulloret e prekura të markës Mars Wrigley në tregun shqiptar më 5 gusht 2021 dhe ato nuk janë në raftet e marketeve", duke pohuar se "shpërndarësit tanë kanë qenë dhe janë duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse të sigurisë ushqimore dhe klientët tanë me pakicë për të siguruar që konsumatorët të jenë në dijeni të tërheqjes nga tregu".

Kompania thotë se "tërheqja nga tregu u bë për shkak të pranisë së oksidit të etilenit në një përbërës të prodhuar nga një prej furnizuesve tanë, në nivele që janë më të larta se sa lejohen nga ligji i BE-së. Kjo është një çështje që prek Mars Wrigley, si dhe prodhuesit e tjerë".

Edhe pse niveli i ETO (oksidit të etilenit) në përbërësin e prekur është mbi kufijtë ligjorë për përbërësin në Evropë, kompania shton se "ne përdorim vetëm një sasi të vogël të këtij përbërësi në akulloret që prodhojmë. Si pasojë, niveli i ETO (oksidit të etilenit) në akulloret tona është minimal dhe shumë poshtë kufijve ligjorë në Evropë për përbërësin. Konsumimi i produkteve nuk është i dëmshëm".

Foto arkiv, ilustruese