Transmetuar më 12-08-2021, 21:20

Deklaratë tronditëse erdhi sot nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili qartësisht në përgjigje të mesazheve në distancë nga Edi Rama, i ktheu reston duke siguruar se pa pasur lidhje të forta reale nuk do të ketë hapje pa rrezik mes vendeve tona.

"Vetëm kur të jemi të lidhur fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar", deklaroi Kryeministri Kurti duke u bërë i dyti në 24 orë që alarmon se Shqipëria ka punuar kundër Kosovës duke e rrezikuar atë, siç u shpreh dje ish kryeministri Ramush Haradinaj në replikë me Edi Ramën.

Akuzë e rëndë nga Ramush Haradinaj: Kosovën e mbrojta jo nga të huajt, por nga vëllai shqiptar Edi Rama!

Mesazhi erdhi sot ndërsa Albin Kurti përshëndeti në distancë aktivitetin dedikuar Hasan Prishtinës në Shkup, raporton noa.al.

Kurti e shfrytëzoi fjalën e tij për t’i dërguar një përgjigje në distancë kryeministrit Edi Rama, pas debatit që ka nisur për projektin e Ballkanit të Hapur, ku Kosova ka vendosur të mos bëhet pjesë.

“Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar”, tha Kurti.

Dy ditë më parë, Rama paralajmëroi Prishtinën zyrtare përmes një postimi të gjatë në FB se me qëndrimet e veta po i lodhte partnerët perëndimorë.

Duke iu referuar pikërisht projektit Open Balkan, ku bën pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, Rama thoshte se bëhej fjalë për të ardhmen e rajonit, nën mbështetjen e Europës dhe Amerikës.

Ndërsa Albin Kurti u përgjigj sot kur tha se rajoni vuan nga bashkëpunimi i politikanëve me krimin: “Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë SHBA-ja dhe BE-ja, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin”.

Nga fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

"Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar.

Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin. Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik".

Edi Rama: Do të heq kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, me një mënyrë që kam gjetur